Pasi të ngrihet SPAK, do të hapet rruga për Byronë Kombëtare të hetimit. Fillimisht SPAK pritet të punojë me rreth 10 prokurorë, ndërsa më pas stafi do të shtohet. Ndërkohë Byroja e Hetimit do jetë një tjetër organ, i cili do hetojë vetëm zyrtarët e lartë, pasi SPAK do ketë në vëmendje dhe krimin e organizuar.
Sipas përcaktimeve në ligj, çdo person që ka kaluar testet dhe kushtet për të qenë anëtar i Byrosë, i nënshtrohet një regjimi rigoroz trajnimi dhe arsimimi, me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të certifikohet. Pasi është certifikuar si i trajnuar dhe i aftë, kandidati konsiderohet hetues.
Po ashtu çdo dy vjet hetuesit do kalojnë në testim dhe kush ngel, largohet nga detyra. Pra, kjo do të thotë se Byroja e Hetimit do jetë mjaft e përgatitur dhe rol shumë të madh do kenë të huajt. Një agjent i FBI do qëndrojë aty për më shumë se dy vite dhe do japë udhëzime për luftën ndaj korrupsionit. FBI do këtë një zyrë të vetën që do bëjë trajnime. Nga ana tjetër edhe në SPAK, SHBA-BE do kenë zyrat e tyre.
Elementi tjetër është që fokusi i saj do jetë vetëm korrupsioni në nivele të larta, duke filluar nga presidenti, kryeministri, ministrat, deputetët, etj. Ndërsa Prokuroria e Posaçme do fokusohet te krimi i organizuar dhe te korrupsioni në nivele të tjera. Edhe pse Byroja është organ varësie i SPAK, ajo do funksionojë si në një godinë më vetë dhe do ketë detyra specifike. E gjithë kjo është një projekt i SHBA të shfarosin korrupsionin në vendin tonë. Pro kjo gjë duket se ka trembur politikën shqiptare, e cila kërkon veting më vete në mënyrë që të mos preken nga SPAK. /Sot