Fundi i këtij viti pritet të sjellë nisjen e luftës antikorrupsion në vend. Në 27 vite demokraci, të gjithë pushtetarët kanë arritur t’ia hedhin paq për zullumet që kanë bërë. Por BE ka kërkuar që deri në qershor të ketë arrestime në nivele të larta dhe SPAK me Byronë Kombëtare të Hetimit të jenë gati. Këto dy organe me shumë gjasë në fund të këtij viti do nisin të ngrihen. Kushtetuta e ka të përcaktuar që SPAK ngrihet 2 muaj pas ngritjes së KLGJ. Kandidatët për në KLGJ janë zgjedhur tashmë dhe pritet vetëm votimi në Mbledhjen e Gjyqtarëve. Pas kësaj hapet zyrtarisht rruga e SPAK.
Pyetja që shtrohet është se kush do të bëhet pjesë e SPAK? Kushtetuta dhe ligji e kanë përcaktuar qartë se të parët që kanë të drejtë të garojnë për organet antikorrupsion janë gjyqtarët dhe prokurorët e të dyja shkallëve te Krimet e Rënda. “Këshilli i Lartë Gjyqësor cakton në mënyrë të përhershme gjyqtarët në detyrë (te Krimet e Rënda) në Gjykatën e Posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, me kërkesë të tyre, nëse: gjyqtari kalon me sukses procesin e rivlerësimit, sipas përcaktimeve të ligjit “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”; përmbush kriteret për ngritjen në detyrë, sipas përcaktimeve të nenit 47 të këtij ligji; gjyqtari, si dhe familjarët e afërm të tij japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, sipas ligjit ‘Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar’”, thuhet në ligj, ku e njëjta gjë vlen dhe për prokurorët, që do emërohen nga KLP. Kjo do të thotë se sapo SPAK të ngrihet,
KLGJ dhe KLP do u hapin rrugën gjyqtarëve dhe prokurorëve të Krimeve të Rënda të aplikojnë, ku sigurisht duhet që të plotësojnë 3 kushtet bazë të përshkruara më lart. Por kush janë emrat që mund të marrin frenat e luftës antikorrupsion në vend? Gazeta ka siguruar listën e plotë të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të Krimeve të Rënda, të cilat kanë të drejtë të jenë pjesë e SPAK, pasi të kalojnë vetingun. Bëhet fjalë për 49 emra, ku nga këta 4 e kanë kaluar vetingun dhe tani e kanë të hapur rrugën të jenë pjesë e SPAK.
Detajet e emrave
Komisioni i Pavarur i kualifikimit ka dhënë sinjale se po punon që SPAK të ngrihet sa më parë. Një pjesë e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Krimeve të Rënda kanë hyrë në veting, ndërsa pjesa tjetër do futet në proces në ditët në vijim. Aktualisht pjesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë 20 prokurorë të Shkallës së Parë. Bëhet fjalë për emra shumë të njohur, të cilët kanë kaluar në duart e tyre dosje të mëdha korrupsioni dhe krimi të organizuar. Të gjithë kanë hyrë ditët e fundit në veting dhe KPK ka kërkuar informacione nga Prokuroria e Përgjithshme, ILDKP dhe institucionet tjera ligjzbatuese. Ndërkohë 3 janë pjesë e Apelit. Ata do i nënshtrohen pak më vonë vetingut. Sa i takon gjyqtarëve, 15 janë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, sipas listës së publikuar në faqen zyrtare të kësaj gjykate në internet. Ndërsa nga Apeli i Krimeve të Rënda janë 11 emra. Në total bëhet fjalë për 49 gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët nëse e kalojnë vetingun e kanë derën e hapur të jenë pjesë e SPAK. Gazeta ka mësuar se ka shumë emra që në rrethin e tyre të prokurorëve kanë dhënë sinjale se do garojnë për SPAK. Pritet që deri në dhjetor vetingu për një pjesë të madhe të tyre të ketë përfunduar dhe më pas nisin aplikimet.