U quajt financieri i grupit të Habilajve, Nezar Seiti u arrestua me bujë pasi Habilajt u kapën në Itali. U ekstradua shpejt në Itali dhe tani është konfirmuar edhe nga gjykata e Apelit të Katanias në Itali, që duhet të qëndrojë në arrest shtëpie.
I dyshuari si financieri i grupit të Habilajve në trafikun e drogës drejt Italisë, është i vetmi nga gjithë anëtarët e tjerë të grupit, përfshi edhe Moisi Habilajn që është liruar. Ende nuk ka të dhëna se çfarë ka ndryshuar në pozitën proceduriale të Seitit, që ka detyruar gjykatën italiane ta lirojnë. Vetëm 8 muaj më parë autoritetet italiane vunë në dispozicion një charter dhe thuajse e rrëmbyen Nezar Seitin nga paraburgimi në Shqipëri, ku mbahej me tre vendime në arrest me burg.
Ndërsa aktualisht po këto autoritete kanë vendosur ta mbajne në arrest shtëpie. Ndërkohe prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka asnjë informacion zyrtar nga homolgia e saj në Katania se çfarë po bëhet me Seitin, i cili është i pandehur edhe në Shqipëri, i akzuar për të njëjtin aktivitet në grupin e Habilajve. Padijeninë e organit të akuzës e pohoi vetë kryeprokurorja Arta Marku në një komunikim me Top Channel pak dite më parë. Paralelisht me emrin e Seitit, prokuroria e Krimeve të Rënda regjistroi në tetor të vitit të kaluar në të njëjtën dosje edhe emrin e ish ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, pasi nga përgjimet e kryera nga prokuroria e Katanias, lindin dyshime që kishte bashkëpunuar me vëllezërit Habilaj për kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve.
Ekstradimi i Nezar Seiti drejt Italisë shkaktoi shumë reagime jo vetëm në institucionet ligjzbatuese por edhe në politikë. PD akuzoi se Seiti u ekstradua për t’i mbyllur gojën, në mënyrë që të mos dëshmonte për lidhjet e ish ministrit Tahiri me Habilajt. Ndërsa prokuroria e Durrësit nisi verifikimet mbi mënyrën ekstraproceduriale të këtij ekstradimi, por që në fund konkludoi se nuk ishte konsumuar asnjë vepër penale./Top Channel