Në Nju Jork zhvillohet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ku do të mblidhen liderët e botës për të për të diskutuar çështjet që i preokupojnë. Në kuadër të saj zhvillohen bisedime midis Thaçit dhe Vuçiçit.
Në Nju Jork zhvillohet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara nga 18 shtatori deri 5 tetor. Në kuadër të saj të mblidhen të gjithë liderët e botës për të diskutuar zyrtarisht dhe jozyrtarisht çështjet që i preokupojnë. Nga Serbia do të vijë presidenti Aleksandar Vuciç. Dhe nga Kosova presidenti Hashim Thaçi, megjithëse Kosova nuk është vend anëtar në OKB.
Kosova është kthyer në axhendën e OKB. Në fakt në axhendën e OKB, ajo ka qenë gjithnjë, zyrtarisht dhe jozyrtarisht. Por për të flitej kryesisht pas dyerve të mbyllura. Politika e OKB për informim për Kosovën, është politikë “e gojës së mbyllur”. Kur pyet për Kosovën në OKB në Nju Jork, zyrtarët reagojnë sikur i pickon grerëza.
Pyetur sot nga Deutsche Welle “a do të ketë edhe këtë vit bisedime midis Kosovës dhe Serbisë në Nju Jork, ashtu si vitin e kaluar”, Stéphane Dujarric, zëdhënësi i shtypit i Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, dha sërish një përgjigje të paqartë. “Nuk e di të ketë ndonjë takim, megjithatë do pyes, tha ai”.
Kurse Brenden Varma, zëdhënësi i presidentit të Asamblesë së Përgjithshme, i pyetur po nga Deutsche Welle se a është presidenti Miroslav Lajčák i përfshirë në ndërmjetësim në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, tha “jo në këtë pozicion që ka aktualisht”.
Miroslav Lajčák, e ka marrë presidencën e Asamblesë së Përgjithshme vitin e kaluar. Ai ka qenë më parë diplomat dhe ministër i Jashtëm i Sllovakisë, njërit nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, që nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur.
Por nga Brukseli, Federica Mogherini bëri sot të ditur se takimi tjetër Thaçi- Vuçiç do të zhvillohet javën e fundit të shtatorit në New York.
E paqartë është nëse bisedime midis Serbisë dhe Kosovës do zhvillohen në kuadër të OKB apo vetëm me ndërmjetësimin e SHBA, e cila mban këtë muaj presidencën rotative të Këshillit të Sigurimit. Zyrtarisht asgjë nuk thuhet në aktivitetet e prononcuara nga Misionin i SHBA në Kombet e Bashkuara.
Muajin e kaluar presidencën e Këshillit të Sigurimit e pati Mbretëria e Bashkuar. Raportimi tremujor në Këshillin e Sigurimit për gjendjen në Kosovë nuk u bë. Ai nuk pritet të bëhet as këtë muaj. Shefja e misionit në OKB, Karin Pierce kërkoi dhënien fund të misionit të OKB në Kosovë, UNMIK. Shpenzimet financiare janë të mëdha dhe ato mund të përdoren në zona të tjera të nxehta. Por ka vende që janë kundër mbylljes së UNMIK dhe nuk duan të largohen nga Kosova, dhe ta lenë të vetme atje SHBA-në.(DW)