Së fundmi ka pasur një sërë raportime për Izet Haxhinë, duke nisur që nga zvarritja e rihapjes së dosjes “Hajdari”, deri tek aludimet se ai ka një marrëveshje me Berishën për të heshtur.
Avokati i tij, Bashkim Nikolla, duke folur për gazetën Dita, iu është përgjigjur këtyre aludimeve.
Në lidhje me zvarritjen e procesit për hapjen e dosjes “Hajdari”, ai shprehet:
“Së pari: precedentin e zvarritjes e krijoi treshja e trupit gjykues të parë, të shortuar e cila argumentoi në dorëheqjen e gjykimit të kësaj çështje, të konfliktit të interesit me arsyetimin se ishte e njëjta treshe gjykimi, me bashkëshorten e Azem Hajdarit, ku rastin konkret ne nuk kërkojmë “të hapet çështja Hajdari” po kërkojmë të dëgjohemi e të provojmë pozicionin tonë juridik në lidhje me vrasjen e shekullit me 25 vjet që na janë faturuar me pa të drejtë dhe pas kësaj le të hidhet dritë mbi të tërën.
Zvarritja e dytë vjen nga pushimet verore të cilat po kthehen edhe në “vjeshtore””.
I pyetur nëse ka presion politik që kjo dosje të mos hapet, Nikolla thotë:
“Në mënyrë simbolike dua të të përgjigjem, të gjithë ne kemi provuar kur hedhim një gur apo një send në një pellg uji, se si formohen rrathë koncentrikë, midis këtyre rrathëve sigurisht që dallojmë dhe presionin politik dhe individët (shejtanë të veçantë) që punojnë investojnë intrigojnë për mos hapjen e “dosjes Hajdari”, si kundër thoni ju, po unë do të thosha për mos hapjen e dosjes “plaku Mere”…, pra Berisha”.
Ndërsa në lidhje me akuzat e mikut të tij, se Izeti ka marrëveshje me Berishën, avokati përgjigjet kështu:
“Shprehja ”kthehet qeni tek i zoti mund të “përkthehet” “po kur i zoti vazhdon të mbetet bisht qeni” si i bëhet?! Atëherë do të thosha, se boll më me sentencën “I dashur mik armik”, kur uji çohet jo tek mulliri i “Kostë Bardhit”, por tek ai që e njohin të gjithë nuk ka rëndësi si e ka emrin, Neron, Luigji 14, etj”.
Në fund Nikolla komenton edhe përplasjet brenda familjes Haxhiaj:
“Dua të sqaroj se nëse Izeti sot është një vigan që përballet me të keqen, së pari është një pjesë e trungut thelbësor të trungut të familjes Haxhia. Babai i tij ka lënë një amanet në çdo kohë të jeni bashkë dhe ata gjithmonë janë bashkë, pavarësisht nga kundërtitë e mendimeve, ky është testamenti permanent. Izet Haxhia, nuk është nga ata që ndërpret komunikimet me familjen e tij, me Tropojën e tij, me Shqipërinë e tij, koha do ta provoj këtë të cilën e lexova dhe sot nga sytë e tij gjatë bashkëbisedimit.”