Anëtarët e opozitës shqiptare duket se kanë bërë gati skemën për t’i shpëtuar reformës në drejtësi. Dje, KLGJ siguroi anëtarët e nevojshëm për t’u ngritur dhe zyrtarizimi i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe i Byrosë Kombëtare të Hetimit tashmë është çështje javësh.
Qëllimi i SPAK dhe Byrosë së Hetimit është vetëm një: të hetojë politikanët e lartë nga Presidenti, kryeministri, ministrat, deputetët, kryetarët e bashkive, e deri tek drejtorët apo zyrtarët e thjeshtë politik. Pra me pak fjalë këto dy organe do të bëjnë vetingun e të gjithë politikanëve shqiptarë.
Por Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dje kanë dalë kundër kësaj, pasi Basha gjatë takimit në Elbasan deklaroi se opozita do të paraqesë një draft në Kuvend që të ketë një veting të ngjashëm si në gjyqësor, edhe në politikë. Por ndonëse në pamje të parë të krijon një ide pozitive, kjo manovër tregon qartë se opozita po tenton që t’i shpëtojë hetimit të SPAK.
Edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë insistuar dhe po vijojnë të kërkojnë me ngulm që të ngrihen organet e reja të drejtësisë dhe sidomos SPAK, politika shqiptare po sajon manovra sesi t’i shpëtojë hetimit antikorrupsion. Kjo për faktin se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim me nismën e tyre për veting të posaçëm në politikë kanë si synim që të gjithë politikanët t’i nënshtrohen një vetingu ku komisionerët të jenë përzgjedhur nga vetë këta të fundit dhe më pas SPAK në momentin që të marrë jetë të mos ketë të drejtë të hetojë asnjë politikan.
Pra me pak fjalë, Basha me Kryemadhin duke parë efektet që po jep vetingu në gjyqësor si dhe mbështetjen që po i japin ndërkombëtarët, po përpiqen që të sajojnë manovra apo amendamente nga ku të fitojnë imunitet për të mos u hetuar nga SPAK.
SHBA-BE e kishin shumë të lehtë të fusnin në veting politikanët, por nuk e bënë këtë, pasi kjo do bëhet nga organet e drejtësisë.
Basha-Kryemadhi duan veting ku të verifikohen nga disa juristë dhe kush ka probleme thjesht largohet nga politika. Por SPAK nuk bën këtë. SPAK i arreston ata që kanë probleme dhe madje u sekuestron pasuritë. Por opozita e di këtë gjë dhe si duket ka nisur manovrat për të rrëzuar planin e SHBA-BE.