Miqësia mes Izet Haxhias dhe ish-juristit të CEZ, Romeo Kara, pësoi një krisje të fortë kur ditën e djeshme, të dyja palët hodhën akuza dhe kundërakuza ndaj njëri-tjetrit. Në një prononcim për “Panoramën”, Romeo Kara shprehet i zhgënjyer me Izet Haxhian, i cili, sipas tij, ka bërë kompromis me ish-Kryeministrin Sali Berisha për të mbajtur të mbyllur dosjen “Hajdari”.
Sipas Romeo Karës, krisja me Izet Haxhian nisi në momentin kur e dashura e tij, që jeton në Francë, kërkoi pa dhënë shpjegime dosjen e plotë që dispononte mbrojtja. Sipas tij, Erjona Parruca është futur në “valle” nga njerëzit e Berishës dhe se dosjen e kërkonte me porosi të ish-Kryeministrit. Kara thotë se pasi nuk iu plotësua kjo kërkesë, Erjona Parruca nisi të nxisë konfliktet mes miqve dhe familjarëve të Izet Haxhias, i cili, sipas tij, ka mbetur vetëm dhe nuk pranon të takojë askënd.
Ish-juristi i CEZ, i cili është marrë edhe në mbrojtje prej kohësh nga kërcënimet që i vinin, thotë për “Panorama” se është mashtruar nga Izet Haxhia. Sipas tij, ish-truproja i Berishës nuk është vetëdorëzuar për hir të drejtësisë, por është arrestuar në Turqi. Kara thotë se Haxhia nuk ka guxim që t’i shkojë të vërtetës së vrasjes së deputetit Hajdari deri në fund, pasi është vetë i përfshirë. “Qeni kthehet te i zoti”, thotë Kara për rastin e Izet Haxhias.
Çfarë ka ndodhur mes jush dhe Izetit?
Izet Haxhia, papritur, është penduar pse u bë pishman. Edhe pse u arrit të rihapej procesi ndaj tij dhe në një farë mënyrë dosja “Hajdari”, ku një prej kontribuuesve më të mëdhenj ishte Ismet Haxhia, i cili e njeh dosjen dhe ka bërë edhe 15 vjet burg, Izet Haxhia, përmes të dashurës së tij ka kërkuar që të largohemi dhe të mos merremi me të. Ky vendim ka ardhur papritur dhe tashmë të gjitha komunikimet me miqtë dhe familjarët e Izetit i mban e dashura e tij, Erjona Parruca. Unë nuk dua të merrem me të, por ata u morën me familjen time.
Përse kjo krisje marrëdhëniesh?
Gjithçka nisi kur Erjona Parruca kërkoi nga avokati i Izet Haxhias dosjen e plotë me të gjitha aktet. Sipas saj, dosjen ia kërkonte i ati dhe do ta ndihmonte Izetin në përballjen e tij në gjyq. Unë dhe Ismeti e kemi gjetur babanë e saj dhe ai e ka mohuar kategorikisht se ka kërkuar një gjë të tillë përmes së bijës. Ajo ka gënjyer.
Përse Erjona Parruca është e interesuar për dosjen “Hajdari”?
Erjona Parruca ka qenë mikeshë e Argita Berishës. Ajo ka kërkuar dosjen “Hajdari” sepse ia ka kërkuar Berisha. Izet Haxhia është bërë palë me të. Ne tiranasit kemi një shprehje “Qeni kthehet te i zoti”. Të njëjtën gjë po bën edhe Izet Haxhia. Ai është penduar që u bë pishman. Izet Haxhia nuk është i interesuar, ashtu sikurse edhe Berisha, që të zbardhet vrasja e Azem Hajdarit. Ai është palë me Berishën, pra, është rikthyer te i zoti. Prandaj edhe Erjona Parruca i ka bllokuar çdo kontakt Izet Haxhias me familjarët dhe miqtë e tij. I ka denigruar publikisht në “Facebook” se nuk do që ta vazhdojë këtë luftë. Erjona merr në telefon motrat e Izetit dhe i urdhëron që të mos i shkojnë në burg atij. Kur ato shkojnë, ai nuk i pret dhe pastaj vë kujën në “Facebook” se e kanë braktisur. Ai nuk flet më në telefon me mua, ndërsa me Erjonën shpenzon 100 mijë lekë në ditë biseda telefonike. Ai ndau publikisht gruan dhe fëmijët e tij se ia kërkoi ajo. Ndërkohë nuk e ka takuar asnjëherë. Si ka mundësi që ky heroi shkatërroi publikisht familjen e tij reale për Erjonën virtuale? Ai e ka harruar Berishën dhe tani po merret me familjarët dhe miqtë.
Pra, ju thoni që Izet Haxhia ka arritur në kompromis me Berishën për dosjen “Hajdari”?
Unë e kam ndihmuar ligjërisht Izet Haxhian dhe sa kam mundur kur ai u pendua publikisht për çfarë kishte bërë kur i shërbente Sali Berishës. Mirëpo, ai ka gënjyer. Përballja me Berishën do të thotë që të inkriminohen që të dy për atë që kanë bërë. Më ka thënë në telefon se do të dorëzohej, por në fakt nuk është dorëzuar. Ai është arrestuar në Turqi. Ai trim na ka gënjyer të gjithëve, duke na thënë se është vetëdorëzuar. Bazuar në këtë mashtrim të tij, u angazhova maksimalisht në media, që, së pari, të siguronim mbrojtjen e jetës së tij dhe së dyti, rihapjen e procesi. Izetit dhe Sali Berishës nuk i duhet një proces i drejtë dhe gjithëpërfshirës. Ata kanë rënë dakord me njëri-tjetrin. Ai nuk ka guxim të thotë se kush e njoftoi Berishën për kasetën që Azemi u dha Haklajve. Nuk ka treguar asnjëherë se ku ishte natën e vrasjes dhe pas saj; kush i zhduku armët apo armën e vrasjes së Azemit dhe kush e njoftoi Berishën për praninë e Jaho Salihit aty. Kështu, ata kanë arsye të përbashkëta që çështja të mos hapet. Janë vrarë rreth 200 bij nënash dhe kjo çështje s’mund të jetë vetëm e Izetit dhe e Berishës. Erdhi nga Turqia pa asnjë provë dhe pa asnjë rrobë dhe e ndihmuam, tani nuk pranon as vëllanë e tij. Ai uli veten akoma më shumë duke u marrë me familjen time.