Policia hyri me shumë trupa në dy lagjet e kontrolluara nga dy familje të njohura në Shkodër.
Ende nuk ka ndonjë rezultat, të paktën në kapjen e ekzekutorëve të veprave kriminale jo vetëm në Shkodër, por edhe në Durrës, Vlorë, Tiranë, Elbasan.
Asnjë nga drejtuesit e 40 bandave, të cilat i pranoi edhe vetë ministri Xhafaj nuk janë kapur. Operacioni Forca e Ligjit thuhet se po vijon, por herën e fundit në Shkodër, kapi vetëm pronarin e një lokali tallavaje në operacionin “Balerina”. Vetëm kaq. Asnjë fije floku nuk ju prek dy prej familjeve të mëdha që kanë marrë formën e organizatave mafioze që vendosin gjoba, zhvatin, vrasin dhe zhdukin njerëz. Në nëntor të vitit të kaluar nisi operacioni forca e ligjit. Një vit më pas, ministri Xhafaj bëri këtë deklaratë në Kuvend.
“Gjatë muajve Shtator-Tetor në sajë të provave të mbledhura, në sajë të punës intensive që kemi bërë gjatë kësaj periudhe, jemi të bindur që do të goditen një pjesë e mirë e këtyre grupeve kriminale”, shprehej më parë ministri Xhafaj.
Kjo deklaratë e shoqëruar me statistika nga koha e PD e më pas nga koha e PS është ndër të rrallat që ka dhënë Xhafaj që kur doli herën e fundit për çështjen e të vëllait. Po përtej deklarimeve situata me rendin publik nuk duket aq optimale.
Thjeshte lufta mes bandave, siç po ndodh në Shkodër ku viti u hap me atentate me tritol ku kontrollin edhe në dy lagjet që hyri policia nuk e ka shteti, por padrinot. Në Shkodër parashikohen ndryshime në komandën drejtuese të policisë lokale. Por i njëjti veprim u krye edhe në Elbasan disa muaj më parë.
Policia në rrugë me blinda dhe shefat e rinj nuk i dhanë fund pushtetit të krimit të organizuar, një pjesë e të cilit ka lidhje shumë të forta politike.