Ndeshja mes Shqipërisë dhe Izraelit do të jetë sfida e parë ndërkombëtare e cila do të zhvillohet pa praninë e forcave të rendit brenda impiantit sportiv, pasi kështu parashikon ligji edhe për aktivitete të tilla.
Por kjo nuk do të thotë se “Elbasan Arena” nuk do të jetë i blinduar me masa sigurie, përkundrazi.
Agjentë sekretë izraelitë janë vendosur prej ditësh në Elbasan duke monitoruar situatën, në bashkëpunim me shërbimet e specializuara shqiptare dhe forcat e rendit. Sipas informacioneve paraprake, në stadium brenda rrethimit nuk do të ketë policë, por jashtë tij do të jenë rreth 1500 forca rendi të gatshme të ndërhyjnë në çdo moment.
Për të hyrë në stadium do të ketë disa radhë kontrolle të rrepta, duke llogaritur specifikën e veçantë të ndeshjes dhe duke marrë shkas nga vizita e kaluar e Izraelit në vendin tonë.
Edhe biletat do të jenë nominale, pasi të gjitha blihen vetëm nëpërmjet kartës së identitetit. Një “shtetrrethim” i tillë thuajse kalon në plan të dytë festën dhe argëtimin që dhuron një shfaqje sportive, gjë që ka dhënë pasojat e veta, pasi masa e gjerë e tifozerisë do të zgjedhë të shohë ndeshjen nga televizori, shkruan “Vipsport”.
Pavarësisht thirrjeve të shumta e promocioneve që janë bërë nga FSHF, deri ditën e djeshme nuk janë shitur më shumë se 2 mijë bileta për këtë sfidë, që tregon edhe një herë se tifozët shqiptarë shpresojnë të shkojnë në stadium për t’u argëtuar e jo për të vuajtur.
Ashtu u ndodhi në ndeshjen e kaluar me izraelitët, ku dolën nga stadiumi të shqetësuar nga masat e sigurisë, të qullur nga shiu dhe të mërzitur nga rezultati në fushë.