Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vijon të mbajë peng Këshillin e Emërimeve në Drejtës (KED) Momentalisht, KED ka 4 anëtarë nga 9 që duhet të ketë. Por Presidenti Meta vijon ta mbajë të bllokuar garën. Pak kohë më parë në momentin kur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kishte mbetur me 6 anëtarë, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi iu drejtua me një letër Metës, ku i kërkonte që ai të hidhte shortin për vendet vakante, ose t’ia jepte këtë të drejtë Parlamentit.
Mirëpo, ndonëse KED është paralizuar, kreu i shtetit deri më sot nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të zhbllokuar këtë ngërç, duke vijuar ta mbajë peng procesin. Sipas ligjit, Meta duhet të vendosë nëse do e hedhë vetë shortin apo do ia delegojë Kuvendit këtë të drejtë. Ndërkohë që ditën e djeshme, kryetari i Kuvendi, Gramoz Ruçi i ka bërë apel Metës që të hedhë me urgjencë shortin për anëtarët e KED, në mënyrë që të zhbllokohet situata në gjyqësor.
Duke folur gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Ruçi deklaroi se Meta e ka detyrim ligjor që të hedhë këtë hap. “Është e vërtetë se i jam drejtuar Presidentit, por i jam drejtuar këtij të fundit jo sepse nuk e dija që kishte vakanca, kjo është e vërtetë, pra kuorumi ishte, ama për të funksionuar nuk funksiononte. Madje kishte krijuar probleme pikërisht në këto vakanca që krijojnë organet e tjera që varen nga KLD-ja. Pra, kjo ishte arsyeja. Presidenti, në përgjigje të shkresës që unë i drejtova, me të drejtë argumentoi se kuorum ka, dhe është e drejtë e tij.
Sigurisht, as Presidenti nuk e dinte, por as edhe unë nuk e dija se punë ditësh apo javësh do të krijohej mungesa e kuorumit. Në këtë kuadër, Presidenti ka detyrimin kushtetues dhe ligjor që të ushtrojë kompetencën e tij për hedhjen e shortit”, deklaroi ai. Nga ana tjetër, Ruçi u shpreh i vendosur, teksa deklaroi se nëse Presidenti nuk e hap garën, ai është i gatshëm që ta ushtrojë këtë kompetencë, ashtu siç ia imponon ligji. “Në qoftë se ai nuk e ushtron këtë detyrë, është e drejtë e tij, ashtu sikurse ligji e ngarkon që, në qoftë se Presidenti shprehet së nuk do ta ushtrojë këtë kompetencë ligjore, unë, si Kryetar i Kuvendit, do ta ushtroj atë menjëherë”, nënvizoi ai.