FNSH ka ‘blinduar’ qytetin e Elbasanit duke rritur prezencën dhe kontrollet. Gazetari i Report Tv në qytetin e Elbasanit, Besnik Ademi raporton se forca të shumta të FNSH janë përqendruar në 4 pikat hyrëse në qytet.
Fokusi i kontrollit të efektivëve të FNSH janë kryesisht makinat luksoze dhe elementët në kërkim për vepra të ndryshme penale. Kjo nuk është hera e parë që kontrolle të tilla kryen në Elbasan, pasi është një qytet që ka qenë shpesh herë në qendër të vëmendjes për përplasje mes bandave që kanë lënë edhe disa të vdekur në vitet e fundit.
Ndërkohë kujtojmë që operacione të tilla të FNSH janë zhvilluar edhe mbrëmjen e djeshme në Elbasan, Shkodër, Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Opozita ka denoncuar se në Shkodër, por edhe në qytete të tjera të vendit ka disa familje të botës së krimit që janë të lidhura me qeverinë, ndërsa ministri i Brendshëm u përgjigj dje nga foltorja e Kuvendit se në vjeshtë do të goditen bandat.
Debati nisi pas ngjarjeve në Shkodër, 6 vrasje dhe 2 të zhdukur në 2 muajt e fundit për të cilat opozita akuzoi se bandat bashkëpunojnë dhe mbrohen nga pushteti, por shumica i kujtoi Bashës se kur ishte ministër i Brendshëm në 2010 në Shkodër pati 18 të vrarë.