Deri ditën e fundit para fillimit të shkollës është e rëndësishme të mos ketë vonesa dhe probleme në shpërndarjen e teksteve shkollore.
Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në familjen Karaj, në kryeqytet, ku shoqërohej edhe nga ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, për t’i dhënë Greisit dhe Reit librat e vitit të ri shkollor.
“Ne thamë të vinim edhe për të promovuar më tutje këtë projekt, sepse është shumë e rëndësishme që të gjithë prindërit ta dinë, por është e rëndësishme e të bëhet e qartë për të gjithë shkollat, drejtuesit dhe mësuesit të realizohet shpërndarja e librave deri në ditën e fundit para fillimit të shkollës që të mos ketë vonesa dhe probleme”.
Duke i këshilluar fëmijët që t’i ruajnë librat, kryeministri Rama tha se “librat duhet t’i ruani mirë se në fund të vitit do t’i dorëzoni prapë, që të mos detyrohet mami e babi të paguajnë për të marrë librat e rinj.
Në mënyrë që ju të vazhdoni të merrni librat e të tjerëve dhe të tjerët që vijnë pas jush të marrin librat tuaj. Librat ruhen me dashuri e kujdes, nuk zhgarraviten, nuk prishen, dëmtohen, mbahen afër se librat janë ushqimi më i mirë që të rriteni e të bëheni të fortë.”
Për sa i përket zëvendësimit të teksteve të vjetra me ato të reja, Rama u shpreh se “vitin tjetër mbyllet edhe zëvendësimi i teksteve të vjetra me të reja nga klasa e 1-12, sepse janë zëvendësuar me një sistem që bën të të mundur që të kishte vazhdimësi. Këta janë libra të Oxford, Cambridge, Pearson”. Sipas tij, edhe nisma e ndryshimit të orëve ka qenë shumë lehtësuese.