Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer dje në kritika shumë të forta ndaj anëtarëve të Kryesisë së Partisë Socialiste. Para se të mbahej seanca e djeshme parlamentare, shefi i qeverisë mblodhi Kryesinë, ku ka dhënë një sërë porosish, ndërkohë që nuk kanë munguar dhe kritikat. Burime të gazetës bënë me dije se shefi i qeverisë ka qenë shumë i pakënaqur me punësimet.
Me ton të ashpër ai ka paralajmëruar ndëshkim për të gjithë ata që kanë mbajtur ende në detyrë militantët e LSI. “Punësimet janë Thembra e Akilit dhe ju ende nuk e keni kuptuar. Nuk e kuptoj nën orkestrimin e kujt po mbahen në detyrë militantët e LSI. Do të japin llogari të gjithë, nga ministrat te drejtori më i thjeshtë. Kjo po na jep shumë kosto në elektorat”, ka thënë kryeministri në Kryesi.
Po ashtu Rama ka thënë se pas ministrave të gjithë deputetët do dalin në bazë në tur llogaridhënie. Gjithashtu kryeministri ka thënë se zgjedhjet vendore janë shumë të rëndësishme dhe të gjithë duhet të angazhohen. Sipas tij, shumica e kryebashkiakëve nuk e kanë të sigurt rikandidimin.
Sipas burimeve të gazetës, kryeministri ka folur me ton shumë të lartë para të pranishmëve dhe ka qenë tërësisht i zhgënjyer me organizimin e tyre. Ai nuk ka kursyer akuzat për asnjërin dhe madje i ka paralajmëruar se do mbajnë përgjegjësi nëse nuk ecet me reformat.