Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar tërësisht rrugën e Zallit në zonën e Selitës duke i dhënë fund problemit disavjeçar të mijëra banorëve dhe drejtuesve të automjetit që ishin të detyruar të kalonin në rrugën plot gropa, baltë dhe me ujërat e zeza.
Investimi i Bashkisë ka konsistuar në ndërhyrjen përgjatë gjithë gjatësisë së saj, ku përveç shtrimit, është realizuar edhe rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza e të bardha dhe vendosja e plotë e sinjalistikës duke sjellë më shumë siguri për qytetarët.
Në këtë mënyrë, është arritur integrimi edhe i kësaj pjese informale të Tiranës me pjesën tjetër të qytetit, sa i përket infrastrukturës rrugore, ndërkohë që mundëson lidhjen e zonës me Unazën e Madhe. Por krahas rrugës së re, banorët e zonës së Selitës kanë tashmë edhe një linjë të re autobusi.
Në këtë zonë ka nisur nga puna edhe edhe linja e re e autobusit, duke nisur nga Stacioni i Trenit deri tek Kodra e Diellit që mbulon gjithë zonën e Selitës, pranë Unazës së Re dhe pastaj i bashkohet linjave të tjera të Tiranës.
Tashmë kjo zonë zonë me mijëra banorë që ishte komplet i izoluar nga transporti publik, falë rrugës jo vetëm iu rrit vlera e pronave, por ka fituar edhe linjën e transportit publik.
“Rruga e Zallit”, ndodhet në pjesën lindore të qytetit në Njësinë Administrative Nr 5 dhe në Njësinë Administrative Farkë, ose siç njihet ndryshe zona e Selitës dhe Kodrës së Diellit.