Politika dhe drejtësia shqiptare po dëshmojnë nga dita në ditë se nuk e duan reformën në drejtësi. Kushtetuta e re u miratua që në korrik 2016, por pas dy vitesh sërish procesi është në fazë fillestare. Një numër i madh gjyqtarësh, prokurorësh dhe politikanësh janë bërë bashkë që ky proces të mos ecë. Zvarritja e reformës po pengon ngritjen e SPAK dhe Byrosë së Hetimit, ndërkohë që po shton kaosin në sistemin e drejtësisë. Por sa më shumë vonon SPAK, aq më shumë rriten shanset që personat me dosje korrupsioni t’ia hedhin paq. Ligji e ka përcaktuar qartë se dosjet që kanë momentalisht Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda kalojnë te SPAK menjëherë sapo të ngrihet kjo strukturë. Po ashtu dhe dosje për zyrtarë të nivelit të lartë në prokurori të rretheve, kalojnë po aty. Por ditët e fundit po zvarriten KLGJ e KLP dhe kjo sjell shtyrje të SPAK me disa muaj. Një gjë e tillë rrit rrezikun që dosjet e korrupsionit të mbyllen. Dihet tashmë se sa kohë që ishte në krye të prokurorisë Adriatik Llalla, u pushuan hetimet për të gjitha dosjet e korrupsionit, kjo nga frika se ato do kalonin në SPAK. Mirëpo momentalisht te Krimet e Rënda janë një sërë dosjesh të bujshme që rrezikojnë të mbyllen. Një ndër to është padia që juristi Romeo Kara ka bërë ndaj presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha për aferën CEZ-DIA. Kjo dosje ka rreth 1 vit në prokurori dhe ajo është ende në fazë shqyrtimi, që do të thotë se rrezikon të mbyllet. Dosje tjetër që me shumë gjasë do mbyllet është ajo e privatizimit të OSSH nga CEZ. Bëhet fjalë për një padi ndaj ish-kryeministrit Berisha dhe 20 zyrtarëve të tjerë të tij. Dosja po hetohet nga Prokuroria e Tiranës dhe afatet hetimore kanë skaduar dhe dosja rrezikon të mbyllet. Dosje të tjera që duhet të kishin kaluar tani te SPAK është ajo e ish-ministrit Saimir Tahiri. Edhe për të skadojnë afatet në shtator dhe nuk dihet se çfarë do të bëjë prokuroria. Një tjetër dosje është ajo e hetimeve ndaj vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj. Edhe për të nuk ka asnjë lëvizje. Nëse do ishte ngritur SPAK, këto dosje do kalonin aty dhe do kishim hetime akoma dhe më të thella.
Mbyllje dosjeve ndër vite
Gjatë kohës që në krye të prokurorisë ishte Adriatik Llalla, u mbyllën një numër i madh dosjesh korrupsioni. Kur erdhi në pushtet qeveria “Rama” pati padi për një sërë emrash, duke filluar me Arben Imamin, Ridvan Boden, Sherefedin Shehun, Lulzim Bashën etj. Arben Imami u padit nga Ministria e Mbrojtjes për abuzime me tenderat, por u pushuan të gjitha paditë. Bode u padit për abuzime me privatizimin e OSSH. Por Prokuroria e Përgjithshme i pushoi hetimet ndaj tij. Basha u padit nga Saimir Tahiri për “21 janarin” dhe për abuzime me lejet e ndërtimit kur ishte kryetar bashkie. Të gjitha këto padi u pushuan. I vetmi që e pësoi ishte ish-ministër i Punës, Spiro Ksera, por ai u kallëzua nga KLSH. Pra tradita e ka treguar se në vend asnjë zyrtar i lartë nuk hetohet. Shpresat ishin te SPAK, por sa kohë që kjo strukturë shtyhet, atëherë dhe dosjet e bujshme që ka sot në dorë organi i akuzës mund të përfundojnë në sirtarët e pluhurosur të organit të akuzës./Kliti TOPALLI