Lorenc Vangjeli
Agaçi nuk është ëngjëll. Sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë, Engjëll Agaçi është një nga tre personazhet e përmendur me emër në një audiopërgjim mes një zyrtari të KQZ-së Denar Biba dhe gjyqtarit të Strazburgut Ledio Bianku.
Si nëpunësi më i lartë civil në vend është tërësisht normale që emri i Agaçit të përmendet për shumëçka. Për mirë e për keq. Sipas zakonit, më shumë për keq se për mirë!
Në një vend normal për të duhej të diskutohej për mënyrën sesi organizon mbledhjet e këshillit të ministrave, si e ndjek vendimmarrjen e insitucionit deri sa aktet marin fuqi ligjore, si dhe pse kthen projektakte kur mendon se nuk janë në përputhje me kushtetutën, si përgatit, me udhëzim të kryeministrit, programe afatshkurtëra dhe afatmesme të veprimtarisë së institucionit e të tjera e të tjera.
Për këtë nëpunës do të duhej të flitej për cilësinë e ligjeve, për raportin me parlamentin, për rolin e tij vetjak qoftë në të shkuarën, qoftë në të nesërmen – draftimi i reformës në drejtësi, ishte një nga këto raste. Kështu e vizaton ligji identikitin e këtij nëpunësi të lartë, por jo Shqipëria politike e tipit më the, të thashë: Denari i tha Ledios që Engjëlli i kishte thënë t’i thoshte Biankut se çfarë mund të thoshte Strazburgu për atë që kishte thënë Edi Rama për pronat.
Denar Biba, arbitër nga socialistët në KQZ, me të paktën ato pak fjali të shkëputura nga audiopërgjimi prej Stazburgu, nuk vizatohet bukur. Por për nivelin dhe mënyrën sesi flet ai në tavolinë, duhet të flasin vetëm ata që në tavolinë flasin jo vetëm mençurisht, por edhe saktësisht shqipen letrare.
Nëse ka shkuar të kërkojë mend apo i kanë kërkuar të gjejë mend në Strazburg për hallin gjithëshqiptar të pronave, as ai nuk e ka kërkuar në mënyrën e duhur dhe as nuk ka trokitur në derën e duhur. Thjesht ka gabuar edhe në formë, edhe në përmbajtje.
Probleme të tilla nuk janë muhabete informale dhe halle individësh, por qëndrime institucionesh. Por të akuzohet se i ka bërë shantazh në emër të kryeministrit dhe Engjëllit të tij një gjykatësi të lartë të Strazburgut, se e ka paralajmëruar se mund t’i mungojë kur t’i mbarojë mandati katër vjet më pas, një rrogë 100 mijë lekëshe në Tiranë, ky është naivitet i frikshëm dhe fëminor. Madje më shumë i frikshëm sesa fëminor.
Eshtë edhe naivitet në aritmetikë në çështje shifrash: përballë milionit evropian, qindarka shqiptare nuk llogaritet, nëse flitet për punë rroge.
Bianku është personazhi i tretë i kësaj historie që është vizatuar vetëm me ngjyrë të bardhë nga opozita. Fakti që është ai është gjyqtar në Gjykatën e Strazburgut e bën atë potencialisht jurist të dorës së parë. Që edhe po të mos dinte ndonjë gjë të madhe nga arti i gjyqtarit në fillim, nëntë vjet e kusur në zemër të drejtësisë evropiane, do t’ja kishte mësuar notin në det.
Askush nuk ka të drejtë që ta paragjykojë sot Biankun duke u nisur nga motivet e djeshme të emërimit të tij në Strazburg. Askush nuk ka të drejtë t’i kujtojë as rrethin familjar dhe aq më tepër edhe faktin se ishte “pothuaj një klient i gatshëm për avokat të mirë në një proces penal në Tiranë” pak para se të nisej në Strazburg. Akti që ai bëri mbas bisedës me Bibën – vënia në dijeni të kryetarit të gjykatës së Strazburgut për atë çka e quajti ndikim të papërshtatshëm në detyrën e tij – është i lavdërueshëm. Dhe ka bërë mirë. Por mbas një akti të madh, shpesh fshihet një llogari e vogël.
Ky është vetëm fillimi në gjykimin e ngjyrave për Biankun. Ka një aksiomë interesante, të vërtetuar rregullisht, që thotë se aty ku është drita më e fortë, është edhe hija më e fortë; aty ku në sipërfaqe sheh të bardhën si në rastin e Biankut, brenda mund të gjesh edhe të zezën e thellë.
E para, kanë kaluar katër vjet nga ky incident. Vonesa e shpërthimit të skandalit përkon në mënyrë të çuditshme me përfundimin e mandatit të Biankut. Që në këtë mënyrë, i siguron vetes një biletë martiri në kthimin e mundshëm në Tiranë dhe një vend direkt në lozhën e opozitës blu. Domethënë PD-së, partisë që i cilësoi dikur të pastra kredencialet profesionale e morale të Biankut kur e dërgoi në Strazburg. Natyrisht edhe kriterin politik. Por në atë kohë askush nuk e vriste mendjen për detaje të tilla. Rikthimi si hero mbas një ikje pothuaj gjysmë të fshehtë, është një trill i rrallë i fatit.
E dyta, hedhja e gurit dhe fshehja e dorës është një hile e vogël që përgjithësisht vjen nga errësira. Nga njerëz që nuk kanë fuqi e kurajo të përballen me aktin e tyre. Që në lojën kok a pil me pushtetin vrapojnë gjithmonë tek koka e monedhës.
E treta ka të bëjë me një detaj dhe debat moral. Në Shqipërinë anormale të mungesës së debatit për thelbin, është luks të kërkosh orkestër simfonike nga një turmë shurdhësh, memecësh dhe të verbërish siç është përgjithësisht klasa e emëruar politike në vend.
Tre përplasjet më të forta politike në mandatin e dytë qeverisës të të majtës kanë ardhur nga audiopërgjimet. Tahiri me përgjimet italiane për drogën; Xhafaj për gallatën dramatike e inskenuar me Babale qesharak; dhe tani përgjimi nga kafja i një zyrtari shqiptar me një gjykatës ndërkombëtar, janë bërë kuajt e luftës së përditshme të opozitës.
Gjithmonë e sipërfaqësore. Gjithmonë e më pa fantazi. Gjithmonë e më pa shije, për fat të keq. Një opozitë që njëlloj si qeverisja përballë saj, rend në sipërfaqe dhe i shmanget thelbit me shpejtësinë që vampiri ja mbath nga hudhrat.
Opozita shqiptare është e dashuruar me aktin e pështirë, të pisët e të neveritshëm të përgjimit. Opozita e sotme po sillet njëlloj si maniakët e djeshëm që fshiheshin ferrave për të parë me sy pak kofshë të bardha, ndonjë skaj cice të fryrë e një çikë bark femre të lagur dhe për të dëgjuar me veshë ndonjë rënkim në ato pak çaste pasioni të çifteve që përdornin për hotel parkun e liqenit.
Opozita po ve syrin dhe veshin për të parë dhe dëgjuar se çfarë ndodh rreth e rrotull dhe për të masturbuar impotencën e saj për të bërë politikë. Nuk është hera e parë që ndodh. E ka bërë dhe qeverisja e sotme kur ishte dje në opozitë. Por ajo erdhi në pushtet vetëm kur kuptoi se të bësh politikë është shumë më shumë sesa të përgjosh me sy e vesh tek vrimat e qeverisjeve.
P. S. si Post Scriptum dhe jo si P… Somllik: Vlen një debat tërësisht tjetër për bisedën e supozuar mes dy shqiptarësh në Strazburg dhe për hallin që i bashkoi ata gabimisht në kafe’. Do të duhej të merej shkas për një debat kombëtar për pronat.
Për këtë gangrenë të cilin e ka shkaktuar edhe e majta edhe e djathta, e gjithë klasa politike tradicionale shqiptare. Një debat për këtë gangrenë që është në thelb të çdo gjëje të ligë që ka ndodhur në këtë vend këto tre dekada. Që nga vrasjet tek varfëria.
Që nga grabitja me përdhunë e tokës tek legalizimi triumfalist me Shab Meminë e Tan Lamen dhe tek gara e Saliut me Edin që kush ja jep më shpejt tapinë e tokës së vjedhur grabitësve pa faj.
Kjo do të duhejtë ishte një temë debati për opozitën, qeverisjen dhe gjithë shoqërinë shqiptare, por as Luli nuk e bën sepse Strazburgu ishte bingo për “pronën e tij” në det, as Edi nuk e zgjat më tej sepse e ka në shpinë faturën dhe as Saliu nuk do ta bëjë se ai e di që Engjëlli i kryeministrisë nuk është djalli i kësaj historie.