Qeveria do të fusë në skaner gjithë administratën publike gjatë vjeshtës. Ashtu siç gazeta “Sot” e deklaroi pak ditë më parë, ditën e djeshme shefi i qeverisë ka zhvilluar një mbledhje me zv/ministrat, ndërsa të pranishëm ishin edhe shefja e Departamentit të Administratës Publike si dhe kryetarja e shkollës së Administratës Publike. Gazeta ka zbardhur disa detaje nga ato çfarë janë diskutuar në takim, teksa mësohet se Rama u ka bërë të qartë se përveç reformës në drejtësi, një tjetër kusht i Bashkimit Europian është edhe reforma në administratë. Për këtë arsye, mësohet se shefi i ekzekutivit ka urdhëruar dje zëvendësministrat, drejtoreshën e DAP dhe atë të Shkollës së Administratës Publike që të angazhohen fuqishëm dhe të nisin kontrollin e rreth 81 mijë dosjeve të nëpunësve shtetëror. Qëllimi kryesor është filtrimi një nga një i dosjes së gjithsecilit, në mënyrë që ekzekutivi të ketë një panoramë të qartë për nëpunësit që punojnë në shtet dhe se sa ata e meritojnë të qëndrojnë në punë, sidomos pas direktiva të kërkuara nga BE. Madje, mësohet se Rama ka kërkuar që të nisë menjëherë verifikimi se si janë emëruar këtë punonjës, sa të kualifikuar janë dhe nëse kanë bëra apo jo shkelje. Po ashtu, mësohet se në kuadër të procesit të integrimit Europian, Rama ka kërkuar nga vartësit e vetë që të nisë menjëherë hedhja e të dhënave online në një database tek portali i AKSHIN, për të gjithë nëpunësit e administratës shtetërore.
Aksesi i qytetarve në dosjet online
Gazeta ka mësuar se arsyeja kryesore se përse kryeministri Edi Rama morri këtë vendim ka të bëjë me qytetarët, sidomos pas ankesave të tyre në portalin e “Bashkëqeverisjes Shqipëria që duam”, sa i takon mosmarrjes së shërbimeve nëpër zyrat e shtetit dhe neglizhencës që hasin nga punonjësit e administratës. Kështu, duke qënë se shumë nëpunës janë treguar arrogantë me qytetarët, përmes këtij portali këta të fundit do të kenë mundësi që të denoncojnë çdo emër dhe të shfaqin pakënaqësinë online në portal. Ndërsa një tjetër arsye së perse kërkohet skanimi dhe hedhja online e të dhënave për cilindo nga 81 mijë nëpunësit e shtetit ka të bëjë me LSI. Tanimë është bërë publike, madje edhe nga vetë kryeministri Edi Rama se gjatë kohës që ishte në koalicionin me Ilir Metën, Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë kërdinë me punësimet, duke emëruar në administratë persona që nuk plotësojnë kriteret profesionale dhe arsimore. Kështu që përmes këtij portali jovetëm qeveria, por edhe qytetarët do të njihen me dosjen e cilitdo, duke nxjerrë në pah difektet dhe të mirat e gjithsecilit. Ndërkohë, mësohet se një tjetër arsye se përse Rama ka urdhëruar skanimin e administratës ka të bëjë me identifikimin e militantëve të LSI, të cilët janë kamufluar gjatë kësaj kohe duke u shtirur sikur militojnë me Partinë Socialiste, manovër kjo që i ndihmon të mbajnë vendin e punës. Megjithatë, mbetët për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht. Por një gjë është e sigurtë se në vjeshtë do të ketë një valë të re shkarkimesh./Rigels SELIMAN