Pritej që pushimet t’i kishin shërbyer për të kuptuar se nuk mund të mbërrish pushtetin as duke sulmuar reformën në drejtësi, as duke sulmuar partnerët ndërkombëtarë e as duke sajuar histori si ajo e “Babales”. Pritej që Basha ta niste vjeshtën opozitare me një strategji të re, befasuese për kundërshtarin dhe ndryshe nga e kaluara e errët. Mirëpo, mesa duket sot me anë të një audio-përgjimi ala Babale kundër Denar Bibës, Basha tregoi se në fakt asgjë nuk ka ndryshuar.
Basha nuk fsheh dot këtë herë as faktin se gjyqtari Ledi Bianku që ishte protagonist në pergjim, është dora vetë kunati i deputetit të Bashës, Genc Pollos. Pra nuk do shumë mend për tu kuptuar e gjithë skema e cila ishte përgatitur për të bërë një nisje spektakolare të Bashës, por që pas më pak se 3 orësh është venitur e tëra.
Politika mesa duket prish çdo miqësi. Në tavolinën e kafenesë së gjykatës në Strasburg ku ka ndodhur përgjimi kanë qenë vetëm Biba me Biankun, të dy miq të vjetër. Askush tjetër nuk mund të përgjonte veç Bibës dhe ‘mikut’ të tij. Siç u pa, Ledi Bianku e hodhi poshtë miqësinë për t’i shërbyer politikisht kunatit duke krijuar një skenar ala Babale, në Strasburg.
Mesa duket pushimet kanë qenë vërtetë të thella dhe nuk e ka trazuar askush nga këshilltarët që t’i kujtonte se nga e njëjta formulë më të njëjtat të dhëna nuk mund të marrësh përfundime të ndryshme. Strategjia e montazheve, sajesave të shitura si investigime që më pas ju del boja e ju kthehet mbrapsht është gjithmonë një ide e keqe në gjuhën e komunikimit politik.
Ajo që pritej në fakt prej tij me mbyllen e pushimeve letargjike ishte një strategji e re politike dhe një reflektim i thellë se si mund të mbillte te shqiptarët një shkëndijë besimi ndaj tij dhe opozitës në tërësi. Kjo do të ishte një shërbim i madh ndaj vendit pasi një opozitë e mirë sjell një qeverisje më të mirë për shkak të presionit që ushtron. Por, flasim për opozitë reale, jo të montuar. Pas një humbje të dhimbshme si ajo e qershorit e vitit që shkoi, Basha asokohe vazhdoi e vazhdoi me strategjinë e tij të sulmeve që ngjanin si dy pika ujë me njëra tjetrën. Kështu, kërkonte që nga e njëjta formulë të merrte përgjigje të ndryshme, gjë që nuk ndodhi. Ishte një strategji që nuk e di kush e kishte përgatitur, por me siguri që nuk e dontë as Bashën e as PD-në. Këtë e tregoi edhe Berisha i cili u shpreh hapur se ata që kishin këshilluar Bashën ishin “këshilltarë mizerabël”.
Lulzim Basha me nisjen që i bëri sot sesionit të ri politik, fatëkeqësisht na tregoi edhe njëherë se asgjë nuk ka ndryshuar në stilin e tij të të bërit opozitë. Asnjë ide e re për të bërë opozitë reale nuk duket në horizontin blu të selisë së drejtuar prej tij, për sa kohë ka akoma shpresë të audio-përgjimet ala Babale, të cilat veçsa nxjerrin në pah paaftësinë e tij për tu përballur realisht me Edi Ramën.
Lulzim Basha ngjan për ironi të fatit si një kryetar partie i vendosur aty për të dëmtuar opzitën. Madje me ironi një demokrat i ditëve të para më thoshte para pak ditësh se “Luli më duket se është vendosur kryetar i PD-së për ta shkatërruar atë”. Në fakt, ajo që është shqetësuese nuk është paaftësia e Bashës për të drejtuar, por fakti se si kjo paaftësi përkthehet në një mungesë opozite reale që nuk na e bën qeverisjen më të mirë. Mungesa e ideve të reja dhe vazhdimi me cic-mice të dala bojë me video-përgjime gjysmë të montuara janë tregues i shterpësisë së një opozite e cila sot më shumë se kurrë tregoi se vazhdon të jetë e vobektë dhe e pashpresë. E nuk ka më keq sesa një vend pa opozitë reale e cila në vend të që merret me hallet që ka vendi nga dreq-qeverisja e dy dekadave post diktatoriale, merret me montazhe.
Deri në ditën që Lulzim Basha të kuptojë se opozita bëhet në terren e jo nga zyrat e ngrohta e SHQUP-t me video që shpërndahen nëpër media, është dënuar të qëndrojë në opozitë duke e lënë njëkohësisht vendin pa opozitë.