Partia Socialiste nuk ka ndërmend të ribëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim, pavarësisht sinjaleve të kësaj të fundit. Teksa zgjedhjet vendore po afrojnë, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ditët e fundit ka nisur flirtet me PS. Në urimin që ajo përcolli për qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit, Kryemadhi kërkoi që të gjithë të bashkohen dhe të angazhohen për një Shqipëri më të mirë. Ndërsa nga kampi i Jalës, me të rinjtë e LRI, ndryshe nga herët e tjera, Kryemadhi u duk disi më e butë kur nisi të fliste për protesta kundër qeverisë. Ajo deklaroi se nuk do të përdoret dhunë për të rrëzuar qeverinë aktuale. Por pavarësisht dëshirës së LSI për tu rikthyer në mazhorancë me PS, socialistët janë të prerë në këtë drejtim. Gazeta “SOT” kontaktoi ditën e djeshme me disa deputetë të Partisë Socialiste, të cilët thanë hapur se koalicioni i vetëm i PS në zgjedhjet vendore do të jetë me qytetarët. Për deputetin Bujar Çela, bashkëpunimi me opozitën do të ishte i pavlerë. “Për këto zgjedhje vendore dhe në qeverisjen e saj deri tani të mirë, Partia Socialiste ka dhe duhet të shtrëngojë fort duke i qëndruar më afër aleatit të saj të suksesshëm: qytetarin. Të dy gjasme forcat e opozitës s’i duhen askujt.
Kanë marrë arratinë me plot kuptimin e fjalës, kanë mbetur vetëm të ashtuquajturit kryetarë pa anëtarë!”, tha ai. Ndërsa sipas deputetit të PS në Tiranë, Xhemal Qefalia, opozita ka marrë një drejtim të paditur dhe koalicioni me të do të ishte i kotë. “Mendimi im është që Partia Socialiste ka një kontratë me elektoratin e saj, qoftë në qeverisje qendrore, qoftë vendore. Gjithsesi është ende herët për të folur për koalicionet, të cilat tashmë janë të domosdoshme përsa i përket këshillave bashkiakë. Kështu që mendoj se vetëm në këtë fazë mund të ketë koalicione. Por asnjëherë koalicion me opozitën sepse opozita po ikën në drejtim të paditur”, u shpreh Qefalia. Ndërsa përfaqësuesi i PS në Vlorë, Andrea Marto tha i bindur se socialistët mund të fitojnë edhe vetëm në zgjedhjet vendore. “Sa për mundësitë e koalicioneve në zgjedhjet vendore të 2019, është ende herët. Nuk gjykoj se do ketë koalicion me parti opozitare. PS edhe e vetme, fiton shumicën e bashkive”, deklaroi ai.
Protestat e opozitës
Deputetët e Partisë Socialiste komentuan dje për gazetën “SOT” edhe thirrjet e “kërcënimet” e opozitës për protesta në shtator. Për Xhemal Qefalinë, thirrjet e opozitarëve nuk duhet të dëgjohen dhe të besohen. “Me deklaratat fallso të opozitës ne tashmë jemi mësuar. Berisha së bashku me opozitën kërcënuan se nuk do ta linin ministrin Xhafaj të hynte në Ministrinë e Brendshme, do thyenin xhamat, do shponin e do digjnin goma, nuk do e linin kryeministrin që të hynte në zgjedhje, kështu që askush nuk i beson. Edhe vetë Sali Berisha nuk e beson këtë dhe premtimet e Bashës”, nënvizoi Qefalia. Kurse deputeti i PS në qarkun e Fierit, Bujar Çela u shpreh i qartë se opozita nuk bën dot asgjë, përtej thirrjeve. “Partia Demokratike është e shpartalluar. Një ish-repart me një organizim të ç’organizuar në maksimum! I shkon përshtat thënia që qejfi jua ka, por nga ana tjetër nuk ua mban të veprojnë. Opozita nuk mund të bëjë asgjë”, tha Çela. Në të njëjtën linjë me ta ishte edhe deputeti Andrea Marto, i cili theksoi se protestat e opozitës nuk përbëjnë më lajm sepse janë gjithmonë njësoj. “Protestat e opozitës do jenë si protestat e shkuara. Ka ikur koha e përmbysjeve të dhunshme. Berisha nuk duhet marrë seriozisht. Besoj se edhe në kampin opozitar nuk është i besueshëm”, u shpreh Andrea Marto./ Mimoza Ibra