Çështja e Izet Haxhisë pritet që të rikthejë ankthin në radhët e politikës. Në shtator do fillojë gjyqi ndaj tij në Apel dhe ish-truproja i Berishës ka paralajmëruar se nuk do të dorëzohet deri në zbardhjen e të vërtetës. Gazeta e ka bërë me dije se dosje tij ka filluar të trembë njerëzit e drejtësisë. Deri më tani nuk ka një datë kur do mbahet gjyqi dhe as nuk është përcaktuar trupa gjykuese. Mirëpo ditët e fundit është hapur një debat se përse prokuroria nuk e ka marrë në pyetje dhe të hapet dosja “Hajdari”. Gazeta dje foli me juristë për të kuptuar rrugën që do të ndiqet për të shkuar te rihetimi i vrasjes së ish-deputetit të PD. Avokati Saimir Visha shpjegoi për gazetën se në situatën ku ndodhet momentalisht Izet Haxhia, nuk mund të ketë hetim nga prokuroria. Sipas tij, e vetmja mënyrë që dosja Hajdari të rihapet dhe Izet Haxhia të merret në pyetje, është nëse
Apeli e rikthen çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë. “Gjykata pranoi kërkesën për rivendosjen në afat. Prokuroria nuk ka detyrim akoma sepse mund ta marrë në pyetjet. Vetëm nëse çështja kthehet për rigjykim në Shkallë të Parë dhe ai kërkon të pyetet. Nëse ai jep pëlqimin, do të pyetet në gjykim. Nuk është nën hetim çështja, është në gjykim”, tha ai. Pra duket se situata për Haxhinë është komplikuar disi. Nga njëra anë gjyqtarët stepen përballë tij, ndërkohë që dhe prokuroria, sipas juristëve, i ka duart e lidhura, pasi kjo çështje tashmë ka shkuar në gjykatë dhe prokuroria i ka mbyllur hetimet. Megjithatë sipas tyre Haxhia do ketë të drejtën të flasë nëse Gjykata e Apelit e kthen pas çështjen dhe aty do mund të dorëzojë prova dhe gjithçka tjetër që disponon për të vërtetuar pretendimet se nuk është i përfshirë në ekzekutimin e Azem Hajdarit.
Reagon Izet Haxhia
Dje ka reaguar për mediat vetë Izet Haxhia. Edhe ai ka ngritur shqetësimin se përse prokuroi nuk po vihet në lëvizje për deklaratat e tij, ndërkohë që paralajmëroi ish-kryeministrin Sali Berisha. “Unë mbetem i fokusuar tek procesi. Erdha në Shqipëri për të treguar të vërtetën dhe për të treguar rreth krimeve monstruoze që mbajnë firmën e Sali Berishës dhe personave të tjerë rreth tij. Nëse në Shqipëri ka mbetur ndonjë prokuror i guximshëm, për të gjitha krimet e denoncuara nga unë dhe ato të pa-denoncuara ende, le të marrë mundimin dhe të vijë e të më takojë. Adresën time se ku jam tashmë e dinë”, tha ai dje për “Report TV”.
Lëvizjet e Apelit
Gjykata e Tiranës pranoi rivendosjen në afat të çështjes së Izet Haxhisë dhe avokati i tij ka ankimuar çështjen në Apel. Edhe pse u bënë dy muaj nga depozitimi i kërkesës, deri më sot nuk është hedhur shorti për datën kur nis gjyqi dhe nuk është përcaktuar trupa gjykuese. Fillimisht u zgjodh relator Shkëlqim Mustafa. Por ai u dorëhoq me argumentin se ka qenë pjesë e trupave gjyqësore me Fatmir Hajdarin, bashkëshorten e Azem Hajdarit. Ajo momentalisht është gjyqtare në Apel dhe disa gjyqtarë janë kolegë të saj. Por e sigurt është se në shtator do nisë procedura e zgjedhje së trupës gjykuese dhe pastaj mbetet të shihet se çfarë do vendoset./Kliti TOPALLI