Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës duket se dhe Komisioni Europian është rreshtuar pro ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi. Më 7 shtator pritet që të vuloset marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë për ndryshimin e kufijve, por dyshja Meta-Berisha janë shprehur kundër kësaj marrëveshje. Por edhe pse presidenti Meta dhe ish-kryeministri Berisha kanë hedhur akuza të shumta në drejtim të presidentit Thaçi, në krah të këtij të fundit pas SHBA është rreshtuar dje dhe Komisioni Europian dhe kryeministri Edi Rama. Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn dje gjatë konferencës për shtyp të mbajtur pas takimit informal të kryeministrave të rajonit me teme “Integrimi i Ekonomisë Rajonale” që u zhvillua në Durrës, teksa u pyet nga gazetarët por çështjen e kufijve të Kosovës, deklaroi se BE nuk do të pranojë asnjë anëtar të ri nëse nuk janë zgjidhur si fillim problemet dypalëshe. Një mesazh ky që ka rrëzuar totalisht alibitë e dyshes Meta-Berisha, të cilët kohët e fundit janë rreshtuar kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas komisionerit Johannes Hahn për BE rëndësi ka që marrëveshja të mos rrezikojë stabilitetin e rajonit pavarësisht përfundimit që mund të ketë. “Mendoj se nuk është e përshtatshme në këtë fazë që të bëjmë komente lidhur me negociatat në vazhdim. Presupozoj se takimi javën e ardhshme në Bruksel nuk do të jetë i fundit, do të ketë takim tjetër dhe sigurisht do të kërkojë kohë që të gjendet një marrëveshje. Për rrjedhojë, ju lutem kuptoni se nuk jam i gatshëm të bëj asnjë koment përveçse asaj që është parashikuar në strategjinë tonë të Ballkanit Perëndimor: ne nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri nëse nuk janë të zgjidhura mosmarrëveshjet dypalëshe. Ajo që ka vlerë për ne është stabiliteti në rajon. Çdo lloj marrëveshjeje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e përgjithshëm të rajonit”, tha komisioneri Johannes Hahn. Ndërkohë në lidhje me këtë çështje foli dje gjithashtu nga takimi informal i kryeministrave të rajonit edhe kryeministri Edi Rama. Edhe pse nuk pranoi të bënte komente, kryeministri Rama, deklaroi se është në të njëjtën linjë me komisionerin Johannes Hahn. “Kthejeni në shqip, keni edhe nënshkrimin tim të fjalës që tha komisioneri”, tha Rama.
KE pro ndryshimit të kufijve
Por të njëjtin mesazh si komisioneri Johannes Hahn përsëriti dje dhe zëdhënësja e KE, Maja Kocijançiç. Gjatë një konference me gazetarët, në Bruksel, zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Kocijançiç pohoi në një farë mënyre se BE është pro ndryshimit të kufijve, duke rrëzuar përfundimisht dhe pretendimet e Metës dhe Berishës. Ajo tha para gazetarëve se Komisioni Europian vlerëson se Kosovës dhe Serbisë duhet t’iu jepet hapësirë që të merren vesh për përmbajtjen e marrëveshjes dhe për normalizimin e marrëdhënieve. Koçijançiç tha gjithashtu se BE-ja, si ndërmjetësuese e dialogut, nuk mund t’i komentojë elementet e mundshme të marrëveshjes, por se do të vazhdojë të punojë në mënyrë intensive me të dyja palët për arritjen e një ujdie gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, e cila do të mbështetet dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ndërkaq zëdhënësja e KE theksoi se zgjidhja e përhershme nënkupton zgjidhje të qëndrueshme dhe reale, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Më tej, zëdhënësja e KE, teksa u pyet nga gazetarët nëse BE pranon ndryshim kufijsh apo shkëmbim territoresh, theksoi se Bashkimi Europian nuk dëshiron që të futet në spekulime dhe në detaje në këtë fazë të fundit të dialogut mes dy vendeve. Pra duket se cila do qoftë marrëveshja që Kosova dhe Serbia do të arrijnë me njëra-tjetrën, ndërkombëtarët do ta pranojnë atë./Endri ARIZI