Nga 730 zyrtarë drejtësie që janë në sistem, 119 kanë deklaruar universitete, kualifikime, tituj e grada shkencore false, me emra univesitetesh e kursesh jashtë Shqipërisë
Vetëm 10 ditë, para rinisjes së procesit të “Veting”-ut për gjyqtarët dhe prokurorët, Organizata Ndërkombëtare e Monitorimit të procesit (ONM), ka lënë në tavolinat e Komisionit të Përhershëm të Kualifikimit (KPK) dhe të Kolegjit të Apelimit (KA), një “dosje speciale”, me të dhëna të detajuara, për arsimimin dhe kualifikimet para e pas universitare, për secilin nga 730 gjyqtarët dhe prokurorët, që janë aktualisht në sistem.
Ky raport, dhënë “për përdorim të brendshëm”, vetëm Komisionit të Përhershëm të Kualifikimit (KPK) dhe Kolegjit të Apelimit (KA), nuk është “biografi”, por fakte zyrtare, në lidhje me të dhënat arsimore të çdo zyrtari të drejtësisë, të cilat, me fuqinë që i jep Kushtetuta e ndryshuar në korrik 2017, ONM i ka mbledhur në institucionet shtetërore ligjzbatuese e ligj kontrolluese, për efekt ballafaqimi, me vetë-deklarimet dhe dosjet e emërimit të tyre.
Nëse brenda dosjeve, të gjyqeve që kanë firmosur prokurorë e gjyqtarë, gjendet “llumi” i abuzimit me drejtësinë dhe lidhjet e tyre me botën e krimit e korrupsionit, brenda dosjes së ONM, fshihet skandali me nivelin dhe cilësinë e arsimimit, diplomimin, kualifikimet pas-universitare dhe titujt e gradat shkencore, që ata kanë deklaruar në “CV”-të e tyre për punësim e në kuadër të procesit të “Veting”-ut.
Sipas raportit sekret të ONM, rezulton se nga 730 prokurorë e gjyqtarë, që janë në sistemin e drejtësisë, 232 prej tyre kanë marrë “Master”, tituj e grada “Prof.Dr, Prof.Ass. Kandidat Shkencash, Dr, As. Prof. dhe lloj-lloj titujsh e diplomash të tjera, në ish-universitetet tezga “Kristali”, “Vitrina” e kioska të tjera.
Skandali thellohet më tepër, kur mëson se ONM, ka zbuluar 19 prokurorë dhe 17 gjyqtarë, pa shkollë mesme të përfunduar (me 2-3 vite), por në dosje kanë futur diploma që tregojnë “shkollë të përfunduar”, madje me nota mesatare 8-9, si rasti i kryeprokurorit Lalla, 7 pret të cilëve, kanë qenë ish-drejtues prokurorie, në rrethe me “ngarkesë pune”.
Por skandali nuk mbaron me kaq, mbasi raporti i ONM, ka shumë të dhëna tronditëse, të turpshme e kriminale, për arsimin real, të disa prej atyre që kanë komanduar e bërë drejtësinë në Shqipëri në 20 vitet e fundit.
Nga 730 zyrtarë drejtësie, që janë në sistem e që do të kontrollohen prej “Veting”-ut, 119 prej tyre, kanë vetë-deklaruar e futur në dosjet personale të punësimit dhe ngritjes në detyra, edhe “kartonë diploma”, dëshmi pas-universitare, kualifikime, tituj, gjuhë të huaja, “Master avokatie” e grada shkencore false, gjoja të marra në univesitete e qendra specializimi jashtë Shqipërisë, por nga verfikimi në institucionet përkatës, rezulton se nuk ekzistojnë si emër e shkollim.
Ky raport, ka si synim verifikimin jo vetëm pasuror, por edhe të vërtetësisë së arsimimit të tyre, me qëllim që, Komisionit i Përhershëm i Kualifikimit (KPK) dhe Kolegji i Apelimit (KA), si dy “trarët” e kontrollit paraprak të gjyqtarëve e prokurorëve, përveç të korruptuarve dhe të lidhurve me krimin, të mos lejojnë “kalimin”, qëndrimin dhe rifutjen brenda sistemit të drejtësisë, të analfabetëve falsifikatorë diplomash e titujsh shkencor.
Sipas informacionit, këtë mision, ONM-ja e ka kryer me referencë të partnerëve ndërkombëtarë të BE, të strukturave speciale Euro-Atlantike e të SHBA, të cilët kanë formosur një platformë, të jenë bashkëpunes dhe mbështetës aktiv të veprimtarisë së ONM-së, për pastrimin e drejtësisë shqiptare, nga “llumi” profesional, bataku korruptiv e politiko-kriminal./Pamfleti