Aktori i njohur i Hollivudit, Morgan Freeman, është në qendër të një debati të rihapur për konfliktet ballkanike.
Dokumentari i Freeman, “Historia e ne të gjithëve”, ka shkaktuar zemërim në botën sllave, pasi shihet si portretizim i njëanshëm i luftërave në ish-Jugosllavi.
“Serbët janë fajtorë për luftën në ish-Jugosllavi, gjenocidin dhe spastrimin etnik”, shprehet Freeman në dokumentar.
Një grup serbësh kanë në plan të ngrenë një padi ndaj aktorit në lidhje me mbulimin e masakrës së Srebrenicës gjatë luftës në Bosnje në vitet 1992-1995, e paraqitur në dokumentarin e “National Geographic Channel”.
“Morgan Freeman është vetëm një gur i vogël në mozaikun e narrativës serbo dhe rusofobe që po shpërndahet nga mediat dhe elita në Perëndim”, thotë redaktorja për çështjet e jashtme në revistën “Chronicles”, Srdja Trifkovic.
Ajo e cilëson dokumentarin një karikaturë groteske të luftës në ish-Jugosllavi.
“Konflikti ka qenë trepalësh: serbë, kroatë dhe myslimanë.
Të tre palët kanë vuajtur pak a shumë njësoj.
Ka një përpjekje për t’i portretizuar myslimanët si viktima të pafajshme.
Kjo bëhet për qëllime politike, për të justifikuar vendosjen e Perëndimit, dhe në mënyrë të veçantë SHBA-ve dhe NATO-s në krahun e myslimanëve”, thotë ajo.
Në filmin dokumentar të “National Geographic Channel”, Morgan Freeman shfaqet ndërsa bisedon me gazetarin e njohur të televizionit boshnjak, Senad Hadzifejzoviç dhe djalin e tij, në lidhje me konfliktin e viteve 1990 në Bosnje dhe Herzegovinë.