1 gusht 2018 prokurorja e Krimeve të Rënda Elisabeta Imeraj u emërua në krye të Prokurorisë së Tiranës.
Prokuroria më e madhe në vend, ka në duart e sa një sërë çështjesh “të nxehta”, që presin drejtësi.
Tashmë sytë e gjithë opinionit publik janë drejtuar nga kryeprokuroja e re e Tiranës, Elisabeta Imeraj, e cila zëvendësoi Dritan Rreshkën e shkarkuar nga Vettingu.
Njëra prej çështjeve të nxehta dhe më të debatuara në opinionin publik është lobimi i PD në SHBA.
A do të përdorë dorë të hekurt kryeprokurorja Imeraj, ashtu si në rastin e Saimir Tahirit për ta hetuar këtë rast?
Kujtojmë se hetimet kanë nisur pra 11 muajsh.
Konkretisht, në muajin Nëntor të vitit 2017, Prokuroria e Tiranës njoftoi se ka nisur verifikimet për kontratën e Partisë Demokratike me disa kompani lobimi në SHBA, të cilave u janë paguar nga selia blu 1 milion dollarë për të siguruar mbështetje politike nga Uashingtoni.
“Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin kryesisht për veprat penale të parashikuara në nenet 190 dhe 257/a të Kodit Penal, në vijim të publikimeve mediatike mbi kontrata lobimi të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë. Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Tiranës ka nisur kryerjen e veprimeve të nevojshme proceduriale”, thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë.
Prokuroria reagoi pas publikimeve në media të dokumenteve që zbuluan kontratën dhe pagesat e Partisë Demokratike në SHBA, para fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit.
Kujtojmë se në muajin Maj 2018, Prokuroria e Tiranës ka dërguar një letërporosi drejt Skocisë për llogari të hetimit të nisur pas dyshimeve të ngritura për mënyrën e financimit të kontratave lobuese të Partisë Demokratike në Uashington.
Përmes kësaj letërporosie pala shqiptare ka kërkuar informacion për kompaninë “Biniata Trade”, kompani e regjistruar “Off shore”, por me aktivitet në këtë vend.
Në kërkesën e drejtuar autoriteteve skoceze Prokuroria kërkon të marrë dijeni në lidhje me aksionerët, apo aktivitetin e kësaj kompanie.
Kjo letërporosi është e dyta në radhë gjatë këtij hetimi. Më herët prokuroria i kërkoi informacion në rrugë zyrtare SHBA-ve në lidhje me lobuesin Nick Muzin.
Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha, në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit lidhi dy kontrata me lobistin e saj në Uashington, “Stonington Strategies”, në mënyrë që të siguronte takime të nivelit të lartë me administratën e Presidentit Donald Trump.
Basha akuzohet se është financuar nga kompani ruse, ndërkohë që njëra prej transfertave rezulton të jetë bërë nga një kompani guaskë me aksionarë anonimë e regjistruar në parajsa fiskale.(CNA.al)