Afrimi i shtatorit pritet të sjellë ndryshimet e paralajmëruara në qeverinë “Rama”. Duke e trajtuar kabinetin e tij si “ekip”, një term me konotacion sportiv, kryeministri do jetë në rolin e trajnerit për të bërë lëvizjet që ai mendon se janë të duhura, drejt rritjes së efikasitetit. Por siç ndodh edhe në sport, më saktë në futboll, aty ku fjala “ekip” merr një vlerë të veçantë, tjetër gjë mendon trajneri nga pankina e tjetër spektatori në stadium.
Ndaj jo rrallë ndodh që nga shkallët të kërkohet nxjerrja apo futja e aksh lojtari, ndërsa trajneri bën një zgjedhje krejt tjetër. Kush ka të drejtë? Edhe pse trajneri është një shkallë më lart se publiku, si profesionist përballë një mase relativisht amatore, kjo e fundit nuk bën të shpërfillet gjithsesi.
Dhe për të kaluar te ekipi “Rama”, kë do donte publiku që të nxirrej nga loja? Për paradoks, atë që deri më tani, sipas të përfoljeve nga sallonet e qeverisë, do vazhdojë të qëndrojë në lojë: Arben Ahmetajn. Është njeriu që i është besuar ekonomia. Ndërkohë që është pikërisht ekonomia, ajo që më së shumti po i vë çmimin kësaj qeverisjeje.
Ka mbetur mister largimi i Shkëlqim Canit, një emër në ekonomi, i zëvëndësuar nga Ahmetaj, me shumë pak kredite në profil e aftësi bindëse në ligjërimin e tij. Dhe sado të ofrohen shifra, arma së cilës qeveria po i mëshon fort gati në çdo sektor, të paktën te ekonomia nuk e mund dot perceptimin se ajo është në ditën e saj më të zezë. Nga ana tjetër, në 5 vite nuk është dhënë asnjë shenjë gjenialiteti se ekonomia shqiptare nën Rilindje do bëjë historinë. Edhe vetë Ahmetaj e ka të dukshëm mungesën e një gjenialiteti për të bërë dhe ai historinë e tij personale. Deri më tani, mundësia që në të ardhmen të ekzistojnë shkrime me natyrë memuaristike ku t’i bëhet jehonë Ahmetajt si njeriu që ringjalli ekonominë shqiptare, janë pothuajse zero. Si në një ekip, duhet një gjeni në fushë që të mund të sjellë gola, nëse trajneri mendon se po luhet mirë. Sepse gola realisht nuk ka. Ekonomia, duhet pranuar se është deri më tani investuesja kryesore e një dëshpërimi social që prodhon humbje shprese; është goli i munguar. Dhe Arben Ahmetaj, deri me tani nuk ka mundur t’i thotë asgjë publikut me “lojën” e tij.
Ka lojtarë që luajnë, por ka që dhe bëjnë epokë. Në stadin ku ndodhet Shqipëria, duhen emra që bëjnë epokë e jo thjesht luajnë. Dhe ministri Ahmetaj, së paku deri më tani, është shumë larg të bërit epokë. /tesheshi.com/