Prokurorë nga Siçilia kanë udhëtuar drejt Romës për të marrë në pyetje zyrtarët vendas, përfshi ministrin e Brendshëm të ekstremit të djathtë, Matteo Salvini, mbi ndalimin e paligjshëm të 150 emigrantëve dhe refugjatëve në bordin e anijes.
Edhe pse prokurorët refuzuan ta konfirmojnë këtë zyrtarisht, burime të “The Guardian” thanë se Salvini mund të merret në pyetje gjatë ditëve në vijim.
Italia përballet me shkeljen e nenit 5 të Konventës europiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas këtij neni, azilkërkuesit e ndaluar për mbi 48 orë duhet të lirohen menjëherë dhe duhet t’u jepet mundësia të aplikojnë për statusin e refugjatit. Të premten, 150 emigrantët në bordin e anijes “Diciotti” nisën grevën e urisë në shenjë proteste ndaj vendimit të Salvinit për të mos lejuar zbarkimin e tyre.
Të enjten, zv.kryeministri italian kërcënoi se do të pezullonte kontributin financiar të vendit të tij drejt BE-së, nëse Brukseli nuk do të ndërhynte dhe të shpërndante 150 personat në bordin e anijes së Rojeve Bregdetare, “Ubaldo Diciotti”.
Salvini, i cili ende nuk është nën hetim zyrtar, u duk sfidues në reagimin e tij. “Nëse dikush po mendon të më arrestojë, ata gabojnë, sepse populli italian po kërkon rregull, rregulla, respekt dhe imigrim të kontrolluar”, tha ai.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian paralajmëroi: “Bashkimi Evropian është një bashkësi e rregullave dhe vepron në bazë të rregullave, jo kërcënimeve. Pra, ne do t’i bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për personat në bord në frymën e bashkëpunimit të mirë “.
Në qershor, krerët e BE ranë dakord të ngrenë “platforma të zbarkimit” për anijet, si dhe qendra të sigurta mbajtëse për emigrantët që do të mbahen në vendet e BE, por askush ende nuk i pret ato.