Kanë kaluar vetëm dy vite nga 24 gushti i 2016, ku një tërmet 6 ballë me epiqëndër Amatricen shkaktoi rreth 300 viktima e shkatërroi qyteza e banesa.
Mbrëmë ky 2 vjetor u përkujtua një natë lutje në kujtim të viktimave që humbën jetënnë Amatrice, Accumoli, Arquata del Tronto, Pecara del Tronto, Norcia.
Me qirinj të ndezuar në duar, familjarëve të viktimave iu bashkua edhe kryeministri italian Giuseppe Conte.
“Humbja e të dashurve tuaj është dhe humbja jonë”, u shpreh kryeministri Conte gjatë takimit me familjarët e viktimave, por dhe shpresa jonë duhet të jetë dhe shpresa juaj”
“Tërmeti nuk është një aksident por pjesë e jetës e rindërtimi i asaj çka u shkatërrua duhet të garantojë të ardhmen në emër të sigurisë për të gjithë”, tha ai.
Mes familjeve të prekuara nga tërmeti i dy viteve më parë janë dhe mjaft familje shqiptare e mes viktimave dhe shqiptari Erjon Toro, i martuar e baba i dy vogëlusheve që në atë kohë ishin 5 dhe 3 vjeçe.
Prej pak vitesh familja e tij jetonte në komunën e Amatrices. Bashkëshortja e tij e dy vajzat mbetën të plagosura nga kjo tragjedi që i mori jetën njeriut të tyre më të dashur.
Por dy vite nga kjo tragjedi, të shumta janë dhe polemikat mbi ndihmën e munguar të shtetit ndaj banorëve e qytezave të shkatërruar nga tërmeti.