Një anketë e prezantuar dje nga OSBE nxjerr në pah disa të dhëna befasuese për raportin që ka shoqëria shqiptare me të kaluarën e sidomos me ish-diktatorin komunist Enver Hoxha. Ndoshta nuk do ta besoni por nga anketimi rezulton se 45 e shqiptarëve sipas rajoneve gëzojnë mendim pozitiv për ish-diktatorin ndërsa 42 përqind, negativ.
E duke u ndalur tek rajonet, shifra e pëlqimit shkon në 50 përqind në Juglindje, 55 përqind në Jug dhe jugperëndim të vendit.
Ndërsa po të vësh re moshën janë 52 përqind e shqiptarëve mbi 55 vjeç ata që gëzojnë mendim pozitiv për rolin e Enver Hoxhës, ndërsa sa më e vogël të jetë mosha e të pyeturve, aq më i vogël është edhe pëlqimi. Kështu vetëm 38% e grupmoshës 16-35 vjeç kanë mendim pozitiv për ish diktatorin.
Anketa “Njohuritë dhe perceptimet e publikut për të shkuarën komuniste në Shqipëri dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen,” është zhvilluar nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) dhe vjen si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri “Platforma e dialogut kombëtar rreth shkeljes së të drejtave të njeriut gjatë regjimit të mëparshëm komunist në Shqipëri”, me mbështetjen e Republikës Federale të Gjermanisë.
Në të theksohet se pikëpamjet e shprehura në botimin e prezantuar nga vetë ambasadori nuk pasqyrojnë domosdoshmërish ato te Prezencës se OSBE-së në Shqipëri.