Një ditë pasi në rrjetet sociale u publikua një lajm për një aksident me autobus në qytetin e Librazhdit, ka ardhur reagimi i parë nga Policia e cila sqaron çfarë ka ndodhur me aksidentin. Policia bën me dije se nga aksidenti nuk ka të dëmtuar, ndërsa njofton se shoferi është gjobitur.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një lajm të publikuar në një nga rrjetet sociale për një akisdent të një autobuzi , ju informojmë se:
Më datë 20.08.2018, rreth orës 16:30 , në vendin e quajtur Shkalla e Lunikut, një autobuz me targa AA 609 TF, me drejtues shtetasin S.H, 48 vjeç, banues në Tiranë, si pasojë e humbjes së vëmendjes së drejtuesit të automjetit, autobuzi ka dalë nga rruga .
Si pasojë e daljes nga rruga nuk ka pasur asnjë të lënduar, por vetëm dëme materiale, pasi autobuzi në momentin e daljes nga rruga ishte pa pasagjer, sipas deklarimeve të drejtuesit të autobuzit.
Drejtuesi i autobuzit mbrëmjen e djeshme por as paraditen e sotme nuk ka njoftuar Policinë, pasi sipas deklarimit te tij , dalja nga rruga ishte pa pasoja dhe aksidentale.
Sot nga shërbimet e Policisë Rrugore, drejtuesi i autobuzit është ndëshkuar me masë administrative , për mos njoftim të organeve të Policisë për aksidentin, Humbjen e kontrollit të mjetit gjatë drejtimit, si dhe largim nga vendi i aksidentit me dëme materiale, pasi drejtuesi i autobuzit , paraditen e sotme e kishte nxjerrë autobuzin dhe kishte vijuar lëvizjen në drejtim të Librazhdit.