Përmes një deklarate, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka sqaruar ndryshimin e çmimeve të teksteve shkollore për sistemin e ri parauniversitar. Ministria shprehet se janë futur kurrikula dhe tekste të reja që synojnë ndërtimin e kompetencave të komunikimit, logjikës dhe qytetarisë, duke bërë të mundur që fëmijët shqiptarë të mësojnë me tekste si fëmijët në Evropë.
“Teksti i ri i ndërtuar mbi një kurrikul të re dhe i marrë nga “Oxford”, “Cambridge” apo “Pearson”, ka çmim të ndryshëm nga teksti i vjetër i realizuar në Shqipëri por i pakrahasueshëm në cilësi. Çmimi qëndron i pandryshuar në vitet në vijim dhe ndryshon vetëm sipas indeksimit të normës së inflacionit”- thuhet ndër të tjera nga Ministria e Arsimit.
Deklarata e plotë e MASR:
Prej disa muajsh Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë po vijon me përgatitjet për nisjen e vitit të ri shkollor. Në këtë shtator për nxënësit do të ketë mbi 90 shkolla të reja dhe të rikonstruktuara me terrene sportive, ku shumë prej tyre do të hapin dyert për të pritur fëmijët më 17 shtator.
Por këtë vit për herë të parë, fëmijët e klasave të para deri tek e katërta do të kenë librat falas, të cilat do të mund t’i marrin në shkollë nga mësuesit e tyre. Mbi 125 mijë familje shqiptare me këtë vendimmarrje të qeverisë shqiptare do t’u ulen shpenzimet mesatarisht 4 500 lekë në vit për çdo fëmijë që ndjek arsimin bazë. Kjo nismë e cila këtë vit pilotohet për herë të parë pritet të zgjerohet edhe me klasa të tjera në vitet pasuese.
Pas një rrugëtimi të gjatë me reformën kurrikulare, jemi të lumtur që kemi arritur të mbyllim ciklin e prodhimit të teksteve të reja dhe cilësore shkollore të mbështetura në kurrikulën e re. Çdo vit, nga viti 2015 kemi aprovuar tekste të reja për klasa të caktuara, duke i pilotuar dhe më pas aprovuar përfundimisht. Kjo reformë filloi nga klasa e parë dhe e gjashtë vitin e parë duke e mbyllur gjithë ciklin me vitin shkollor 2019-2020. Sivjet kemi aprovuar tekstet e klasës së katër, nëntë dhe dymbëdhjetë duke mbetur për vitin pasues vetëm tekstet e klasës pestë.
Kurrikula e re që synon ndërtimin e kompetencave të komunikimit, logjikës, qytetarisë etj, kishte nevojë për tekste të reja që ndihmonin mësuesit dhe nxënësit për të arritur ato kompetenca. Ndaj morëm tekste nga shtëpi botuese prestigjioze si “Oxford”, “Cembridge” dhe “Pearson”, sidomos për lëndët e shkencave.
Me cilësinë dhe standardizimin që po realizojmë në arsimin parauniversitar, duke bërë të mundur që fëmijët shqiptarë të mësojnë me tekste si fëmijët në Evropë, teksti i ri i ndërtuar mbi një kurrikul të re dhe i marrë nga “Oxford”, “Cambridge” apo “Pearson”, ka çmim të ndryshëm nga teksti i vjetër i realizuar në Shqipëri por i pakrahasueshëm në cilësi. Çmimi qëndron i pandryshuar në vitet në vijim dhe ndryshon vetëm sipas indeksimit të normës së inflacionit.
Disa nga kategoritë e nxënësve që marrin tekste falas:
• Fëmijët/nxënësit që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në të katërt.
• Fëmijët/nxënësit që janë i treti e më lart në radhën e shkollimit të fëmijëve të së njëjtës familje.
• Fëmijët/nxënësit që janë pjesë e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
• Fëmijët/nxënësit që janë viktima të trafikimit e marrin ndihmë dhe asistencë nga Qendra Kombëtare e Pritjes së Viktimave të Trafikimit, Qendra Kombëtare e Viktimave të Dhunës në Familje dhe Qendra Kombëtare Tranzitore e Emergjencës.
• Fëmijët/nxënësit që janë përfitues në institucionet e përkujdesit social rezidencial në Qendrën Kombëtare të Pritjes së Viktimave të Trafikimit.
• Fëmijët romë dhe egjiptian.
• Fëmijët jetim etj.
Së bashku me nxënësit e ciklit të ulët, libra falas në Republikën e Shqipërisë do të përfitojnë mbi 2/3 e të gjithë nxënësve që janë pjesë e arsimit të detyrueshëm. Përpjekja jonë për qasje të barabartë në shkollim nuk merr fund këtu. Kemi shumë punë për të bërë. Por, në të njëjtën kohë, jemi të lumtur që kemi arritur të lehtësojmë buxhetin familjar për nevoja shkollimi për rreth 200 mijë familje.
Ju urojmë një vit të mbarë shkollor!/BW