Deputetët shqiptarë nuk kanë vetëm llogari bankare, vila e makina luksoze, por edhe kredi në bankë. Gazeta prej disa ditësh ka treguar se përse është i nevojshëm vetingu në politikë. Deri më tani kanë dalë emra që kanë miliona të ardhura dhe nuk dihet burimi.
Por gazeta po tregon sot se në Parlament ka dhe emra që kanë pasuri të ulët dhe madje janë në borxhe. 59 deputetë rezultojnë që të kenë marrë kredi në bankë. Sipas të dhënave të deklaruara pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ka shumë nga ta që vijojnë paguajnë kredi për të siguruar banesa. Por ka shumë të tjerë që kanë marrë kredi për të shtuar pasuritë e patundshme të tyre.
Ka mjaft emra që kanë marr kredi për të blerë apartamente në bregdet apo dhe makina luksoze. Arben Kamami ka deklaruar për vitin 2017 shpenzime për shlyerjen e kredisë, shuma 310 648 lekë. Blendi Klosi ka deklaruar se ka shlyer gjatë vitit shumën prej 137 933 lekë për kredinë financiare për blerje apartamenti të marrë pranë Raiffeissen Bank në 15.10.2004, me principal 5 000 000 Lek, me afat 25 vjet dhe me këst mujor 23 000 Lekë. Blerina Gjylameti ka deklaruar shpenzime për vitin 2017, për shlyerje kredie, 669 301 lekë. Ndërsa bashkëshorti, Kostika Gjylameti, shpenzime për shlyerje kredie, 250 297 lekë. Besnik Baraj ka deklaruar shpenzime në emër të vajzës, Znj, Erlisa Baraj për blerjen e në apartamenti me sip. 77 m2 në Vlorë. Janë paguar dy këste për llogari të ‘ANSI’ sh.p.k nga llogaria në lekë në Bankën Raiffeisen dhe llogaria në lekë në Bankën Credins përkatësisht 1 200 000 lekë dhe 950 000 lekë. Me kredi është dhe ministri Damian Gjiknuri. Ai ka deklaruar Shlyer principali prej 3.567, 14 Euro dhe interesat prej 3 392,38 Euro për kredinë për shtëpi të marrë pranë Raiffeisen Bank. Detyrimi i mbetur në 31 Dhjetor 2017 është 94 982,97 Euro. Djali i ish-kryeministrit Berisha ka deklaruar kredi për blerje makine 11 836 euro. Kredi në shifra shumë të larta ka deklaruar deputeti Halim Kosova. Ai ka 236.850 euro pa shlyer. Ndërsa Oerd Bylykbashi ka deklaruar kredi pashlyer, 3 milionë lekë dhe Eduard Shalsi kredi 42.000 euro.
Deputetët e PS dhe LSI
Me kredi janë dhe shumë deputetë të PS dhe të LSI. Deputeti i PS, Ervin Bushati ka deklaruar
kredi 18 mijë euro marrë në 2015. Fadil Nasufi ka deklaruar kredi për blerje banese, 3.541.826 lekë pa shlyer. Në borxhe të shumta është dhe Pjerin Ndreu. Ai ka deklaruar: Detyrime ndaj vëllait, 3.400.000 lekë; Kredi për blerje apartamenti në Golem, 43.652 euro pa shlyer; Huamarrje personi, 50 mijë euro. Edhe Rakip Suli i është drejtuar bankës, pasi ka 1.225.000 lekë kredi pa shlyer. Taulant Balla ka marrë kredi për blerje apartamenti, ka 2.407.974 lekë pa shlyer.
Agron Çela ka deklaruar kredi 250 mijë euro, marrë në 2007, 59.606 euro pa shlyer dhe kredi në emër të “Xhenis-SH.P.K, 4.600.000 euro, 4.299.396 euro. Nëse kalojmë te LSI. Edmond Haxhinasto ka deklaruar gjatë 2017 pagesë shlyerje kredie për shtëpinë, 45 mijë euro.
Klajda Gjosha është shprehur se ka marrë kredi shtëpie në 2015 me vlerë 8.800.000 lekë
Nasip Naço ka blerë shtëpi me sip. 170 m2 në Tiranë, 6.500.000 lekë. Burimi: 5 mln lekë kredi dhe 1.5 mln lekë nga kursimet. Nora Malaj është në listën e emrave që kanë marrë kredi për shtëpi në bregdet. Ajo ka marrë kredi për blerje apartamenti në Golem, 21.843 euro pa shlyer.
Përparim Spahiu ka deklaruar se ka 38.815 euro kredi pa shlyer. Edhe Silva Caka është pjesë e listës. Ajo ka deklaruar se ka shlyer në vitin 2016 – 163 887 lekë për kredi për blerje apartament banimi me principal 8.000.000 lekë dhe afat shlyerje 25 vjet. Detyrimi i mbetur më 31 dhjetor është 7 729 253 lekë. Po ashtu ka deklaruar se ka shlyer në vitin 2016 -39 545 lekë si detyrim overdraft marrë në Gusht 2015 për mobilim apartamenti. Detyrimi i mbetur më 31 dhjetor është 246.455 lekë. Bashkëshorti i saj ka shlyer në vitin 2016- 64 096 lekë si detyrim overdraft. Detyrimi i mbetur më 31 dhjetor është 110 904 lekë. /Kliti Topalli