Ndërkombëtarët janë angazhuar shumë që reforma në drejtësi në vendin tonë të ecë ashtu siç duhet. Në korrik të vitit 2016 konsensusi politik për miratimin e kësaj reforme u arrit falë këmbënguljes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Ndërkohë edhe sot, edhe pse ka patur ndalim dhe tentativa nga politika për ta penguar zbatimin e reformës në drejtësi, faktori ndërkombëtar është i vendosur që të mos e lejojë një gjë të tillë.
Çdo seancë dëgjimore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është monitoruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ndërsa nuk kanë munguar as kërkesat për ankimim tek Komisioneri Publik për rastet kur ka patur pakënaqësi nga vendimet e KPK. Komisioni i vetingut arriti që falë presionit të SHBA-BE brenda pak muajve të kalonte në sitën e vetingut pothuajse të gjithë emrat e listës prioritare. Por duhet theksuar se në fillim ritmi i punës së KPK ishte shumë i ngadaltë, ndërsa përgjatë muajit korrik komisionerët e vetingut morën hov të madh. Sipas burimeve të gazetës, një gjë e tillë ndodhi sepse ONM u kishte dhënë ultimatum që para marrjes së pushimeve verore në gusht duhet të ishte përmbyllur rivlerësimi për pjesën më të madhe të emrave prioritarë.
Asnjë vonesë
Sipas “SOT”, ndërkombëtarët i kanë dhënë ultimatum edhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Ky i fundit është institucioni që vendos për ankimimet e Komisionerit Publik ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve si edhe për ankimimet e vetë këtyre të fundit. Por ashtu sikundër KPK në fillimet e saj, edhe KPA ka zhvilluar shumë pak seanca gjykuese që nga momenti i konstituimit të këtij organi.
Deri tani organi kolegjial ka marrë vetëm 3 vendime përfundimtare për të gjitha ankimimet e bëra, qoftë nga Komisioneri Publik, ashtu edhe nga vetë subjektet e rivlerësimit të cilët janë shkarkuar nga komisioni i vetingut dhe nuk kanë qenë dakord me një vendim të tillë. Më konkretisht, KPA deri tani ka shqyrtuar dhe marrë vendim për rastin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, për ankimimin e ish-gjyqtarit të Durrësit, Besim Trezhnjeva dhe për ankimimin e ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo. Por në listën e pritjes janë edhe shumë emra të tjerë, mes të cilëve mund të përmendim prokuroren e Shkodrës Besa Nikëhasani, Edmond Islamaj, Mirela Fana, etj.
Për këtë të fundit seanca ishte caktuar në datën 16 korrik, por nuk u shty për në shtator pasi vetë subjekti i rivlerësimit, Mirela Fana, nuk ishte e pranishme në sallë. Por të gjitha këto zvarritje të shqyrtimit të ankimimeve duket se do të marrin fund. ONM ua ka bërë të qartë komisionerëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit se duhet të shpejtojnë me seancat dhe të mos krijojnë ngërçe në zbatimin e reformës në drejtësi. Për këtë arsye, edhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ashtu sikurse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të nisë vrullshëm punën në shtator.
2-3 seanca në javë
Në faqen zyrtare të KPA në internet janë bërë publike deri tani dy njoftime për seanca. Komisionerët e organit kolegjial do të nisin nga puna në 10 shtator, dita kur do të marrin në shqyrtim edhe ankimimin e Mirela Fanës. Vetëm dy ditë më pas, në datën 12 shtator, trupa e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit do të mblidhet sërish, këtë herë për të vendosur për fatin e prokurores së Shkodrës, Besa Nikëhasani, të shkarkuar nga vetingu. Pra, KPA, me rikthimin në punë në shtator, do të zhvillojë 2-3 seanca në javë. Por gjasat janë që numri i seancave të shtohet dhe puna e komisionerëve të vetingut të jetë më intensive pas ultimatumit të ndërkombëtarëve.