Marrëdhëniet mes qeverisë dhe Presidencës pritet që të tensionohen akoma dhe më tepër. Kthimi për rishqyrtim i dy ligjeve nga presidenti Ilir Meta solli përplasje të forta mes tyre, por vjeshta do të jetë akoma dhe më e ashpër. Shtatori ka dy çështje të bujshme, marrëveshjen e detit dhe kreun e KLSH. Sa i takon çështjes së kufirit ujor, Meta ka dhënë sinjale se nuk do e zhbllokojë, por pritet që të ndërhyjnë ndërkombëtarët dhe të zgjidhin situatën.
Çështja e KLSH pritet të shkaktojë akoma dhe më shumë përplasje mes Ramës dhe Metës. Bujar Leskajt i mbaron mandati i tij 7 vjeçar në krye të këtij institucioni dhe sipas përcaktimeve në Kushtetutë dhe ligj, emrin e ri e propozon Presidenti dhe më pas është Kuvendi që bën votimin e tij.
Presidenti i Republikës 60 ditë para mbarimit të mandatit 7-vjeçar të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ose menjëherë në rast se mandati përfundon në mënyrë të parakohshme, krijon një komision të posaçëm përgjegjës për njoftimin e kandidatëve, për mbledhjen e dosjeve personale të tyre, për përgatitjen e listës me emrat e kandidatëve që plotësojnë kriteret, si dhe për përgatitjen e relacionit për Presidentin”, thuhet në nenin 25 të ligjit.
“SOT” ka mësuar se kreu i shtetit ka nisur tentativat që të hyjë në negociata me qeverinë për të marrë ai drejtimin e KLSH. Ky institucion është shumë i rëndësishëm, pasi ai dërgon pas hekurave të gjithë emrat e korruptuar. KLSH ka kallëzuar penalisht mbi 700 zyrtarë kohët e fundit dhe Meta po teton të sigurojë kontrollin e këtij institucioni, me qëllim që të nisë sulmet ndaj qeverisë. Por deri më tani kryeministri nuk ka lëshuar pe. Arsyeja që Meta po mban peng dhe kreun e SHISH është pikërisht lufta për kapjen e institucioneve. Po bëhet gati një vit nga kërkesa e Ramës për të dekretuar Helidon Bendon si pasardhës të Visho Likës dhe presidenti nuk ka bërë asnjë lëvizje.
Arsyeja është se Meta kërkon pazar që njëri prej tyre të jetë i emëruari i tij. Shefi i qeverisë deri më tani nuk ka lëshuar pe, pasi bëhet fjalë për dy pozicione të rëndësishme. Nëse Meta merr SHISH, qeveria ka frikën e përgjimeve, kjo pasi nuk është hera e parë kur ky institucion është përdorur për përgjim të kundërshtarëve. Visho Lika përgjoi një numër të madh deputetësh në 2013. Sa i takon KLSH është një institucion shumë i rëndësishëm që kontrollon performancën e institucioneve shtetërore dhe ai mund të përdoret për goditje të zyrtarëve të caktuar. Për këtë arsye vjeshta do të sjellë një betejë të ashpër mes Ramës dhe metës, e cila nuk dihet e si do të përfundojë. Deri më tani kryeministri ka shmangur kritikat për presidentin, ndërsa ky i fundit nuk ka kursyer thumbimet. Madje në disa raste është rreshtuar dhe krah opozitës.