Zëvendëskancelari austriak Heinz-Christian Strache shkaktoi një trazirë kur tha se Kosova është pjesë e Serbisë.
Shefi i partisë së ekstremit të djathtë në Austri, i cili ka qëndruar sot në Beograd, është takuar ndër të tjera me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe ministrin e jashtëm Ivica Daçiç.
Në një konferencë për media, Strache u tha gazetarëve se deklarata e tij ndaj Kosovës qëndron, pasi edhe pse Austria e ka njohur pavarësinë e Kosovës, Serbia, sipas tij, e konsideron Kosovën si pjesë të saj, shkruan mediumi austriak Die Presse.
Por, Strache tash po përballet me thirrjet për dorëheqjen e tij nga pozita e zëvendëskancelarit të Austrisë.
Dorëheqja e Straches është thirrur nga mediet austriake, por edhe nga politikani gjerman Bernd Posselt, i cili ishte një nga mbështetësit me influencë të pavarësisë së Kosovës nga Serbia, transmeton Insajderi.
Bernd Posselt, ish-deputet i Parlamentit Evropian (PE) nga radhët e CSU – partnerit të partisë CDU-së Angela Merkelit – në një komunikatë për shtyp sot ka bërë thirrje që për shkak të deklaratave të tij duke e kontestuar pavarësinë e Kosovës, tha se Strache duhet që të jap dorëheqje nga pozita që e mbanë në qeverinë e Austrisë.
“Sepse ai si duket edhe një here më shumë e ka kontestuar pavarësinë e Republikës së Kosovës”, tha Posselt. “Njerëz të këtillë janë Kuaj të Putinit të Trojës në BE, sepse Moska po tenton përsëri gjithçka për ta dështuar pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar Bernd Posselt.