Mbi 400 burra kosovarë kaluan kufirin nga Kosova në Shqipëri, më 23 maj të vitit 1999 duke sjellë me vete rrëfimet e tmerrshme për abuzim dhe torturë të shkaktuar nga serbët.
Burrat, fati dhe vendndodhja e të cilëve ka qenë mister për javë të tëra, kanë qenë të mbajtur në një burg serb, ku thuhet se janë rrahur keq dhe janë lënë pa ushqim.
Në videon e rrallë të publikuar nga AP, shumica e burrave, të cilët ushtria serbe kishte frikë se do të bashkoheshin me UÇK-në, ishin rrëmbyer nga kolonat e refugjatëve dhe ishin ndarë nga familjet e tyre.
Në kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë, 456 burra ato ditë maji prisnin që t’i ikin luftës dhe shtypësve serbë.
Shumica mendonin se nuk do t’i shihnin më kurrë familjet e tyre. Të keqtrajtuar dhe në gjendje të tmerrshme, këta njerëz nuk sollën asgjë me vete, përveç historive të torturës, brutalitetit dhe vështirësive.
Për disa, emocioni dhe lehtësimi u shprehën në lot.