Nëse sheh mediat shqiptare këto ditë, mbizotërojnë fjalë të tilla si ndarje, kufij, shkëmbim, rishikim, model, etj.
Duket se Kosova do rikthehet në qendër të opinionit ndërkombëtar sërish, teksa do të diskutohet për një marrëveshje mes saj dhe Serbisë.
Të dy vendet kërkojnë që të anëtarësohen në BE dhe unioni e ka bërë të qartë se kjo do të ndodhë vetëm kur të zgjidhin problemet mes tyre.
Sfida është e vështirë, por interesante është se tashmë Brukseli dhe Uashingtoni nuk e quajnë tabu diskutimin e temave si ndryshimi e kufijve.
Kështu shkruan revista amerikane Newsweek, e cila thekson se Uashingtoni dhe administrata e presidentit Trump duket se kanë lëvizur nga ideja se nuk mund të ketë shkëmbim territorial.
Por teksa politika po zien, çfarë mendojnë qytetarët?
Duket se ata janë të lodhur dhe tashmë qëllimin e tyre kryesor kanë mirëqenien ekonomike.
Fjala bie, ndërsa politika në Tiranë u premton heqje kufijsh vitin që vjen, atyre u duket qesharake që do i presë një kufi tjetër monetar në Kalimash.
Kosovarët kanë nisur të braktisin bregdetin shqiptar dhe patriotizmi duket se nuk mban më ujë.
Kjo lodhje reflektohet edhe tek shkrimi i Newsweek. Revista amerikane thekson se shkëmbimet territoriale mund të mos sjellin shumë pasione nacionaliste.
“Nuk e di se përse po diskutojmë kufijtë kur gjithçka tjetër po shembet në Ballkan. Është një histori pa fund ku politikanët mundohen të fokusohen tek kufijtë, kur ka probleme më serioze si largimi i trurit, ekonomia e keqe apo korrupsioni. Shumë njerëz janë lodhur nga politika dhe duan të bëjnë një jetë normale në një rajon stabël. Pas dekadash lufte dhe konfliktesh, ne të rinjtë dhe gjeneratat e ardhshme e meritojnë një jetë normale,” thotë Bojana Stojkoviç, një 30-vjeçare nga një rajon jugor i Serbisë, pranë kufirit me Luginën e Preshevës.