Moska është shqetësuar me shpalljen e forcimin e pozitës së NATO-s në Ballkan, ku si moment kulmor është marrja e bazës ajrore të Kuçovës, për ta shndërruar në bazë të saj rajonale për operacionet ushtarake të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Se situata ishte serioze për Kremlinin, e konfirmon dhe një shkrim në Sputnik këtë të martë. “Ushtria perëndimore në kufi”, është titulli i shkrimit, ku analisti ushtarak rus Sergei Jermakovi i referohet rastit të Kuçovës, ndërtimit pra aty të bazës ajrore rajonale, pse jo më të rëndësishmen për NATO-n.
“Në samitin e fundit, vendet e NATO-s ranë dakord të rrisin potencialin ushtarak. Pastaj ranë dakord për forcimin e komponentit ushtarak në kufijtë jugorë të NATO-s. Ballkani në këtë drejtim luan një rol shumë të rëndësishëm, sepse ajo i jep qasje të NATO-s në të gjitha sfidat e saj të mëdha – nga Rusia në Afrikën e Veriut, dhe në të gjithë rajonin e Detit Mesdhe dhe atij të Zi”, thotë Jermakovi.
Udhëheqja ruse gjithnjë e më shumë kërcënon të reagojë ndaj zgjerimit eventual të NATO-s, ndërsa në pritje janë Maqedonia, Bosnja, Gjeorgjia dhe Ukraina. Ndaj dhe kryeministri Dimitri Medvedev reagoi së fundi duke thënë se Rusia nuk do të qëndrojë këmbëkryq.
“Tani nuk ka dy blloqe që janë në konflikt të drejtpërdrejtë, siç ishte gjatë Paktit të Varshavës dhe NATO-s. Megjithatë, NATO jo vetëm vazhdon të ekzistojë, por po zgjerohet. Ne nuk mund të jemi indiferentë ndaj kësaj. Është plotësisht e qartë se aftësitë e tyre ushtarake, përfshirë dhe aspektin bërthamor, janë të drejtuara kundër Rusisë. Është ky për fat të keq një fakt. Nuk mund të mos na shqetësojë unaza rreth vendit tonë që sa vjen e ngushtohet me rritjen e numrit të vendeve që hyjnë në NATO”, shtoi ai.