Ndërkombëtarët duket se po luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e vetingut në Shqipëri. Edhe pse nuk kanë ndonjë rol vendimmarrës, ata i kanë kërkuar shpesh Komisionerit Publik që të ankimojë disa vendime të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Sipas ligjit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë të drejtë që t’i paraqesin me shkrim Komisionerit Publik një kërkesë për të paraqitur ankimim.
“Procesi gjyqësor në Kolegjin e Apelimit kryhet në përputhje me rregullat e parashikuara në nenet 47, 48, pika 1; 49, 51, dhe 55 të ligjit nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.2. Vëzhguesi ndërkombëtar ka të drejtë të paraqesë rekomandim me shkrim Komisionerit Publik, për të paraqitur ankim.
Ky rekomandim jepet nga një komision i përbërë nga të paktën 3 përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. 3. Në rastin e ankimit nga Komisioneri Publik, Kolegji i Apelimit e gjykon çështjen në seancë”, thuhet në nenin 65. Por nga ana tjetër ligji parashikon edhe rrugën që ndiqet nga ana e Komisionerit Publik pas kërkesës së bërë nga ONM, analizon Sot. Sipas ligjit të gjitha vendimet e Komisionit ankimohen pranë Kolegjit 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit.
“Të gjitha vendimet e Komisionit ankimohen në Kolegjin e Apelimeve nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik, 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. 2. Ankimi depozitohet pranë Komisionit që ka dhënë vendimin, sipas nenit 46 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”. 3. Rregullat për ankimin administrativ, parashikuar në nenin 128, të Kodit të Procedurave Administrative, nuk zbatohen”, thuhet në nenin 64.
Ndërkohë, nga ana tjetër pas bërjes së ankimimit, Kolegji i Apelimit ka të drejtë që pas shqyrtimit të çështjes, ose të lërë në fuqi vendimin e KPK, ose ta ndryshojë atë, ose ta prish. Ndërkohë që nga ana tjetër edhe duhet të japë një arsyetim me shkrim mbi dhënien e vendimit. “Pas shqyrtimit të çështjes, Kolegji i Apelimit vendos: a) lënien në fuqi të vendimit të Komisionit; b) ndryshimin e vendimit të Komisionit; c) prishjen e vendimit të Komisionit 2. Kolegji i Apelimit, në arsyetimin e vendimit të tij, orienton Komisionin për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme. 3. Vendimi i Kolegjit të Apelimit, që vendos shkarkimin nga detyra, ka efekt të menjëhershëm ex lege”, thuhet në nenin 66