Policia italiane ka shpërndarë një video, ku tregohet dinamika e aksidentit rrugor në Itali ku humben jetën dy persona dhe u plagosën 80 të tjerë.
Shpërthimi i fuqishëm ndodhi në afërsi të aeroportit të Bolonjës në Itali, pranë një pike karburanti.
Sipas informacioneve të para, një cisternë u përfshi në një aksident rrugor dhe ka shkaktuar një seri shpërthimesh zinxhirë që përfshijnë edhe mjete të tjera. Autostrada A14 në kryqëzimin midis Bolonjës dhe Casalecchio di Reno, është mbyllur, ndërsa Policia, zjarrfikësit dhe ambulancat janë në vendngjarje.
Autocisterna vjen me shpejtësi dhe siç duket edhe nga pamjet nuk ka ngadalësuar por ka shkuar drejt kamionit, duke shkaktuar edhe aksidentin e frikshëm. Në videon disasekondëshe autocisterna shpërthen më shumë se njëherë, ndërsa shpërthimi i fundit ka një rreze prej disa metrash, duke tejkaluar të dyja anët e autostradës. Nga të plagosurit, 14 prej tyre janë në gjendje të rendë.
Në mesin e të plagosurve janë edhe 11 karabinierë si dhe dy policë rrugorë. Ambulanca të shumta shkuan në zonë për të shpëtuar të plagosurit, ndërsa forca të shumta zjarrëfikëse futën në punë helikopterët për shuarjen e flakëve.