Zjarri masiv i 23 korrikut që shkrumboi disa zona në rajonin e Atikës, la pas shumë persona të vdekur, por edhe shumë të tjerë vijojnë të jenë të paidentifikuar. Pas tragjedisë, tashmë autoritetet kanë zbarkuar në terren për të zbardhur detaje nga ngjarja e rëndë, si dhe vënien para përgjegjësisë për atë që mediat greke e cilësojnë ‘fatkeqësi biblike’.
Siç raportojnë mediat greke, prokurori i Areopagit, Xeni Dimitriou dhe kreu i Prokurorisë Elias Zagoros, kanë shkuar në zonën më të prekur nga fatkeqësia, në fshatin bregdetar të Matit, nga ku janë marrë mbetje të ndryshme, për t’ju nënshtruar ekspertizave.
“Kathimerini” shkruan se ky proces në terren zgjati për gati 6 orë, ndërsa do të hetohen jo vetëm shkaqet e zjarrit, por edhe për përgjegjësit për ngjarjen në fjalë.
Në hetimet e deritanishme, prokuroria po bazohet edhe tek dëshmitë e qytetarëve, të cilët akuzojnë autoritetet shtetërore si përgjegjës për zjarret. Ndërkohë, kreu i Partisë ‘Rruga e Lirisë’, Zoe Konstantopoulou ngriti një padi kundër zyrtarëve qeveritarë, pasi sipas tij janë përgjegjës për ngjarjen e rëndë dhe se nuk mbrojtën jetët e qytetarëve të tyre.
Kujtojmë se Mati ishte atraksion për turistët, ndërsa sot padyshim është fshati më i dëmtuar nga zjarri, ku u shënua edhe numri më i lartë i viktimave.
Nga zjarri masiv që përfshihu rajonin e Atikës në 23 korrik, fshati më i dëmtuar ishte Mati ku u shkrumbua 70% e territorit të tij, ku vetëm në një tavernë u gjetën të djegur 26 persona, të cilët u bllokuan krejt papritur nga flakët.