Krerët e gjykatave dhe prokurorive në vend në muajin shtator japin llogari para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Momentalisht ka përfunduar vetingu për 51 emra të listës prioritare me 57 gjyqtarë dhe prokurorë dhe në shtator do të kalohet te lista e dytë. KPK merr pushime më 10 gusht dhe në shtator do të rinisë puna. Gazeta Sot, ka siguruar listën e përditësuar të komisionit me 36 emrat që do të japin sqarime mbi pasurinë, karrierën e tyre dhe lidhjet e mundshme me kontigjentë të botës së krimit.
Por ajo që bie në sy është se KPK ka marrë masa që ngërçi në Gjykatën Kushtetuese të zhbllokohet. Në listën në fjalë janë futur dhe 7 emra, që garojnë për vendet vakante të krijuara në Kushtetuese. Momentalisht kjo gjykatë ka mbetur me 1 anëtar dhe i nevojiten 8 të tjerë. Kuvendi dhe Presidenca kanë hapur garën dhe mes emrave që kanë shfaqur interes ka 7 gjyqtarë, ndërsa pjesa tjetër vijnë nga bota juridike dhe pedagogjike. Në mënyrë që Kushtetuesja të fillojë punë, KPK do e nisë vetingun në shtator pikërisht me 7 emrat në fjalë, në mënyrë që pastaj KED dhe Presidenca me Kuvendin të bëjnë përzgjedhjet e para.
Më pas do të vijohet me krerët e gjykatave dhe prokurorive në vend, duke filluar nga Krimet e Rënda, duke kaluar te Gjykata Administrative, e duke përfunduar te ato të Shkallës së Parë. Për një pjesë të emrave në fjalë, KPK i ka siguruar të dhënat nga institucionet ndihmëse. Janë angazhuar ILDKP, Drejtoria e Pastrimit të Parave, DSIK, KLD, Prokuroria e Përgjithshme, ZVRPP, OSHEE, policia, Doganat, Tatimet, etj. Të gjitha këtyre institucioneve u është kërkuar informacion i plotë mbi pronat dhe pasuritë e tjera të njerëzve të drejtësisë. Lista me 57 emra përfshinte anëtarët e Gjykatës së Lartë, asaj Kushtetuese, si dhe kandidatët për në KLGJ, KLP, Inspektorin e Drejtësisë dhe për anëtarët e KED. Nga këta 21 ngelën. Por kreu i ILDKP, Shkëlqim Ganaj pak kohë më parë dha sinjale se tani radhën për të shkuar drejt “shkrirjes” e kanë gjykatat dhe prokuroritë e Apelit, pasi anëtarët e tyre nuk justifikojnë pasuritë.
Ngërçi në Kushtetuese
Edhe pse Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë masa që të mos ketë vonesa në përzgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses, situata duket shumë e komplikuar. Sipas ligjit, 9 anëtarët e Kushtetueses propozohen nga Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë. Secili institucion propozon nga 3 emra në varësi të vakancave. Por rolin kryesor në këtë mes e ka Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Të tre institucionet e mësipërme, për çdo vend vakant ja dërgojnë listën KED, e cila bën një renditje të kandidatëve, nga më i miri te më pak i përshtatshmi.
Presidenti, Parlamenti dhe Gjykata e Lartë duhet që të zgjedhin 1 mes tre emrave të parë. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë i pari në listë quhet i zgjedhur. Por KED nuk funksionon. Anëtarët e saj u futën në veting dhe 5 nga 9 ngelën. Tani pritet që të hidhet sërish shorti dhe emrat e rinj të futen në veting në mënyrë që të zhbllokohet situata. Vjeshta do jetë një sezon i ngarkuar sa i takon reformës në drejtësi, pasi KPK nga njëra anë do shtojë dozën e verifikimeve, ndërsa politika pritet të nisë përplasjet për ngritjen e organeve të reja të drejtësisë.