Nga: Senad NIKSHIQI
Prej katër muajsh Kastriot Musa qëndron në burgun e Shën Kollit në pritje të një vendimi për të. Ai u arrestua në operacionin “Balerina” në kuadër të “Forca e Ligjit” duke u akuzuar për shfrytëzim prostitucioni dhe si një grup i strukturuar kriminal. Kastriot Musa u arrestua bashkë me kushëririn e tij Frederik Tota dhe pesë vajza të tjera, të gjithë të akuzuar si pjesë e një rrjeti prostitucioni.
Kastriot Musa gjithashtu shprehet se deri tani nuk është zhvilluar asnjë seancë e rregullt gjyqësore ndërsa seancat ndaj tyre vijojnë të zhvillohen me dyer të mbyllura. Kastriot Musa kërkon nga drejtësia që të lihen familjarët e tij të marrin pjesë në gjyqe dhe po ashtu të lejohen edhe mediat, pra të bëhet një gjyq publik për të mësuar të vërtetën që pretendon i akuzuari.
Musa shprehet se nga vajzat e arrestuara për prosticion është edhe bashkëshortja e tij, një punonjëse ndërsa tre të tjerat nuk i njeh dhe deklaron se kanë qenë thjeshtë kliente në lokalin të cilin ia kishte marrë me qera kushëririt Frederik Tota për të jetuar e punuar si gjithë të tjerët. Po ashtu shton se emri i tij nuk është i përmendur askund në dosje dhe se nuk akuzohet nga askush për prostitucion.
Kastriot Musa ka një thirrje për Presidentin Meta, kryeministrin Rama, ministrin e drejtësisë, avokatin e popullit, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, mediat dhe këdo tjetër që ta shohin këtë çështje dhe ndaj tij të ketë vetëm drejtësi dhe asgjë më shumë. Më poshtë është intervista e plotë me Kastriot Musa nga burgu i Shën Kollit.