Nga Çapajev Gjokutaj
Gjyshi, në të 60-at, është shtrirë përbri nipit 4 – 5 vjeçar, në kufirin mes ujit dhe rërës. Sa herë vjen vala, nip e gjysh përplasin këmbët “me breshëri”, ngrenë stërkala dhe, kur këto u bien mbi trup e fytyrë, kukurisen me të madhe.
Gjyshi është akademik, mjaft i njohur në fushën e vet. Jam mësuar ta shoh në ekrane e podiume: me kostum e gravatë, hijerëndë e autoritar.
Sot, veshur vetëm me rroba banje, zhgërryhet e kukuriset si fëmijë.
Një nga kënaqësitë që na sjellin niprit e mbesat e mitura, them me vete, është se na mundësojnë të bëjmë kalamallëqe, pa ngjallur përçmimin e atyre që na rrethojnë.
Po mbase liria e gjyshit akademik për të bërë si fëmijë buron edhe nga plazhi, si hapsirë që zbeh konvencionet dhe hierarkitë.
2.
Thenë këtë, më kujtohet një dukuri e shtjelluar nga Sebastian Junger në librin ‘Tribe: on homecoming and belonging’.
Në fillimet e kolonizimit të Botës së Re, shënon Junger, rastiste shpesh që disa kolonizatorë të kapeshin rob nga indigjenët dhe të jetonin në kampet e tyre. Kur, pas disa vjetësh, bashkëkombasit i çlironin, një pjesë e mirë e robërve arratiseshin prapë në kampet e indigjenëve.
Akoma më e fuqishme shfaqej kjo prirje te fëmijët indigjenë që, për një arsye a tjetrën, rriteshin nga kolonizatorët. Pothuajse të gjithë tentonin të ktheheshin në gjirin e tribusë.
Mbështetur në autorë të ndryshëm, Junger sjell një varg arsyesh për të shpjeguar këto arratisje në primitivitet.
Disa studjues thonë se robërit europianë parapëlqenin jetën e indigjenëve, nga që aty gjenin barazi ose, më saktë, mungesë hierakish të ngrira sociale. Si rregull pasuria dhe katandija e çdo anëtari të tribusë mund të mbartej mbi kalin e tij. Jeta egalitare është, me sa duket, prirje natyrore e njeriut, ndaj në popujt e qytetëruar mbetet ëndërr e nostalgji.
Të tjerë studjues thonë se robërit europianë i ngashënjente sidomos jetesa e indigjenëve. Nuk është se s’punonin, por sasia dhe sidomos ritmi i punës ishin ku e ku më të lehta e më pak strikte se ajo në kolonitë e të bardhëve.
Studjues të tjerë thonë se robërit europianë parapëlqenin jetën në kampet indigjene nga që njeriu është programuar të jetojë në natyrë.
Denbabaden ka jetuar si nomad: gjahtar e mbledhës. Ka vetëm 10 – 12 mijë vjet që bën jetë të ngulur dhe prodhon. Por përshtatja ambjentale e geneve humane merr 25 mijë vjet. Rrjedhimisht njeriu i sotëm del kundër genit të vet, që vazhdon ta grishë për jetë nomade, pa orare e hierarki.
Thenë ndryshe, brenda njeriut të sotëm bëhet një luftë e egër mes genit që e thërret në natyrë dhe kulturës që e ngujon dhe e kryqëzon në fabrikë a në zyrë.
Luftë e rreptë dhe rraskapitëse kjo🤤 Nuk është e rastit që çrregullimet nervore tek njeriu sa vijnë e shtohen. Kurse tek kafshët e egra thuajse nuk hasen fare.
3.
Si të mos mjaftonte lufta mes genit dhe kulturës, njeriu ka shpikur edhe njëmijë e një ndalesa e konvecione të tepruara.
Në këtë gjendje mbase është më mirë që, sa herë të jetë e mundur, sa herë ta lejojë ambjenti dhe situata, i rrituri të bëjë si fëmijë, madje edhe akademiku si kalama🙈
Në se kjo bën mirë për njeriun në tërësi, për ne vlen edhe më shumë: ka dobinë e terapisë. Jetojmë në një shoqëri me mentalitet të theksuar patriarkal. Të rriturit dhe, sidomos burrit, i kërkohet të armatoset me pancirin e seriozitetit dhe me përkrenaren e autoritetit, ndryshe ia pinë lëngun.
Me sa duket, frika e lëngut na shtyn të themi ‘kalamallëk’ në vend të ‘sjellje fëmijësh’. Po a është fëmija kalama?