Eshtë bërë e udhës që kur lideri politik që merr një detyrë të lartë, ndërkohë që partia e tij është në opozitë, atëherë ai mbledh në atë institucion të gjithë bashkëpuntorët më të afërt.
Kështu, kur PD doli në opozitë por president ishte Bujar Nishani, të gjithë këshilltarët e deri tek badigardët e Berishës kaluan në Presidencë në detyra të ndryshme.
Madje dhe tashmë që PD është në opozitë, kjo mënyrë punësimi është shtyrë më tej, teksa në bashkitë që drejton PD, marrim si shembull bashkinë e Kamzës, Lezhës dhe Shkodrës, janë punësuar të gjithë ata që kanë shërbyer në këtë parti.
Madje në bashkitë Kamzë, Lezhë dhe Shkodër mund të gjesh dhe ish drejtorë, ish këshilltarë që kanë punuar për vite në dikasteret qëndrore në Tiranë, dhe në këto bashki shkojnë vetëm e vetëm për të marrë rrogën.
Kështu ka ndodhur dhe me Presidentin Ilir Meta, i cili ka mbledhur të gjitha bashkëpuntorët më të afërt dhe njerëzit e miqësisë dhe gjakut në Presidencë.
Pa llogaritur se administratën e ka mbushur me militantë dhe ithtarë të LSI, cilësia e njerëzve të thirrur për t’i shërbyer ka një kriter: Hajdutërinë dhe shërbimin absolut.
Kështu, kohët e fundit Meta ka marrë në Presidencë si këshilltar për Ekonominë, Majlind Lazimin.
Në krye të herës duhet të theksojmë se vijon dhe në krye të shtetit sistemi i thellë nepotik i Ilir Metës, pasi Lazimi është as më pak dhe as më shumë por nipi i Monika Kryemadhit, kryetare e LSI dhe bashkëshorte e Presidentit.
Lazimi dhe sipas jetëshkrimit të deklaruar prej tij ka qënë gjithë kohës pas Ilir Metës, në çdo post që ka qënë ish kreu i LSI, ndërkohë që është dërguar pikërisht në postet ku ka pasur lekë.
Ai ka mbajtur pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shoqërisë tregtare “Posta Shqiptare” për rreth 3 vite, Gusht 2014- Qershor 2017. U shkarkua me ceremoni nën akuzën për shkelje të ligjit elektoral, si dhe për presion ndaj punonjësve të administratës, për interesa zgjedhore.
Ndërkohë që pas një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit u evidentuan shkelje të rënda prej miliona eurosh, abuzime përmes reklamave shtetërore.
Nën drejtimin e tij “Posta”, kjo agjenci shtetërore apo thënë ndryshe “sh.a”, e ka shpërndarë reklamën nëpërmjet një agjencie, jo sipas kritereve të përcaktuara qartë, e që kanë të bëjnë me deklarimet e shitjeve apo numrin e lexuesve që ka një media, dhe për më tepër, pa asnjë tender apo njoftim zyrtar. Thënë shkurt: nën dorë. Nga reklama në fjalë kanë përfituar disa organe shtypi të afërta me Metën, abuzim që është vertetuar pa shumë mund nga KLSH.
E gjitha kjo ndodhi kur veprimtaria e “Postës Shqiptare” ishte vënë nën hetim pas auditimit që kishte ushtruar Kontrolli i Lartë i Shtetit. Auditimi që ka bërë KLSH përfshinte ish-drejtorin Ardit Çela por dhe drejtorin në atë kohë Majlind Lazimi.
Sipas një raporti të KLSH, Posta ka shkelje dhe abuzime me përmasa të mëdha, pasi është shkaktuar dhe një dëm i pallogaritshëm nga drejtuesit e saj. Por përkatësia politike, dhe të qënit “ogiç” i Metës dhe nipi i Kryemadhit, bëri që Majlind Lazimi t’ia hedhë paq dhe t’i shpëtojë burgut.
Lazimi ka shërbyer edhe si Zv.Minister i Integrimit Europian për periudhën shtator 2013- gusht 2014, por dhe si Drejtor i Kabinetit të Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nga Janari 2011 deri në Janar 2013.
Nga tetori i 2010- në Janar të 2011, Z.Lazimi ka shërbyer si këshilltar ekonomik i Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pra Ilir Metës por dhe nga tetori i 2009- shtator të 2010, ai ka shërbyer si këshilltar i çështjeve ekonomike pranë Zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, prap Ilir Metës.
Pra e thënë shkurt, Majlind Lazimi duke qënë gjithnjë në shërbim të Metës, është nipi i Monikës ai, jo vetëm që ka shërbyer në të gjtiha detyrat ku kishte lekë, por dhe kur ka abuzuar me detyrën me një dëm prej miliona eurosh shtetit, ai ka shpëtuar.
Tashmë i është bashkuar grupit të njerëzve të LSI në Presidencë, të cilët kanë akaparuar administratën nga ky institucion e deri në KLD. Aty gjen si ndihmësa dhe këshilltarë të jashtëm në Presidencë, që nga Dritan Kaba e deri tek Fahri Balliu e Çim Peka./Pamfleti/