Vetëdorëzohen në polici dy autorët që ekzekutuan në një atentat në Itali 23-vjeçarin shqiptar, Viktor Picaku.
Ngjarja ndodhi dy net më parë në Corato të Barit, ku dy persona me motor “Scooter” qëlluan pas shpine me dy plumba të riun shqiptar.
Sipas mediave italiane, dy autorët u janë dorëzuar karabinierëve italianë, ndoshta edhe pas publikimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë të momentit të vrasjes.
Ende nuk dihet shkaku i vrasjes së të riut nga Mirdita, por nga deklaratat e para të autorëve, ata kishin dashur vetëm ta trembnin.
Ngjarja
Viktorian Picaku, ishte i riu shqiptar i cili humbi jetën tragjikisht dy ditë më parë në sheshin Abazzia, pasi u qëllua me 4 plumba nga dy persona. Picaku jetonte në Corato, prej një kohë të gjatë.
Të gjithë e përshkruajnë të riun nga Mirëdita, si një djalë punëtor e të qetë, të cilit ia morën jetën padrejtësisht në sheshin “Abbazia”.
Vendi ishte i mbushur me fëmijë, familjarë e të rinj kur ndodhi ngjarja. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin e vrasjes të së riut shqiptar.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:30, kur dy burra të veshur me të zeza të cilët udhëtonin me një motor tip “Vespa” shtinë 4 herë me armë zjarri në drejtim të tij dhe e lanë të vdekur në vend.
Viktori ishte shënjestra e zgjedhur në mes të turmës. Ai mori një plumb në kokë, dy në këmbë e një tjetër e tejshpoi në mushkëri.
Tentativat për ta shpëtuar ishin të kota, pasi Viktori vdiq para syve të turmës që e rrethonte me një heshtje surreale e cila thyhej vetëm nga ulërima e një prej miqve të tij më të mirë.