Rezultatet e fundit të vetingut kanë filluar të frikësojnë jo vetëm drejtësinë, por edhe politikën. Opozita ka nisur një valë sulmesh ndaj Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ndërsa ka propozuar dhe rishikim të reformës. Por pse vijojnë këto sulme? Deri më tani janë shkarkuar nga KPK plot 21 gjyqtarë dhe prokurorë, shumica emra të njohur. Por ajo që bie në sy është se kanë ikur nga sistemi emra që kanë mbyllur shumë dosje të bujshme të opozitës së sotme.
Nëse shihen çështjet që kanë shqyrtuar emrat në fjalë, bie në sy se të gjithë të larguarit nga Gjykata e Lartë janë ata që kanë pasur në dorë “21 Janarin”. Kjo dosje qëndroi për vite me radhë në Dhomë Këshillimi dhe më pas u vendos mosgjykimi. Por kush janë emrat që e mbyllën këtë dosje? I pari është Artan Broci. Kur ndodhi ngjarja e 21 Janarit, ai ishte në Gjykatën e Apelit dhe u mor vendimi për dënimin e disa praj anëtarëve të Gardës, por dënime minimale. Ndërkohë prokuroria e dërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë dhe ata që vulosën mbylljen e saj ishin Edmond Islamaj, Shkëlzen Selimi dhe Artan Zeneli. Këta dy të fundit kanë ngelur në veting. Islamaj u konfirmua, por Komisioneri Publik kërkon shkarkim dhe e ka ankimuar çështjen në Apel.
Një tjetër emër i njohur që ngeli në veting është Tom Ndreca. Ai ishte anëtar i Gjykatës së Lartë, por në vitin 2011 ka qenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor, i cili bëri Lulzim Bashën kryetar bashkie. KPK ngeli dhe gjyqtarin Admir Thanza. Ai ka qenë pjesë e trupës gjyqësore ku u akuzua Majlinda Andrea për afera me pronat. Emra të njohur ka dhe mes prokurorëve. Brenda kësaj jave u shkarkua Dritan Rreshka, kryeprokurori i Tiranës. Por ai ka pasur në dorë dosjen e CEZ-DIA. Deri më tani i vetmi që ka shkuar pas hekurave ka qenë ish-administratori i DIA, Kastriot Ismaliaj, ndërsa shumë emra të tjerë të akuzuar përfshirë dhe ish-zyrtarë të qeverisë “Berisha”, sot janë të lirë.
Emrat që shpalli “non grata” SHBA
Nëse shihet me kujdes lista e emrave që kanë ngelur në veting, një pjesë mjaft e madhe janë të padëshiruar në SHBA. Një emër i njohur është dhe Rovena Gashi. Ajo njihet si krahu i djathtë i Adriatik Llallës dhe është shpallur “non grata” nga SHBA. Artan Broci dhe Shkëlzen Selimi janë dy emra të tjerë që kanë ngelur në veting dhe po ashtu në shkurt 2017 ambasada e SHBA ju refuzoi atyre vizat. Një emër tjetër është Artan Lazaj. Ai ngeli në veting dhe po ashtu nuk mund të shkelë në SHBA. Pjesë e listës është dhe ish-gjyqtari i Kushtetueses, Gani Dizdari. KPK e gjeti atë me probleme dhe e shkarkoi, ndërkohë që një vit më parë dhe SHBA e kishte futur në listën e zezë.
Mesazhi i SHBA-BE
Dihet se truri i vetingut janë ndërkombëtarët. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit është organi që po mban nën kontroll KPK, po kryen verifikime shumë të rrepta dhe në disa raste parandalon presionet ndaj komisionerëve. Fakti se po ikin njerëz që për ndërkombëtarët kanë qenë në listë të zezë prej kohësh dhe po ashtu kanë shpallur të pafajshëm pushtetarë të lartë, tregon se SHBA-BE kërkojnë që zyrtarët e korruptuar të dalin para drejtësisë. Kjo do të thotë se kushto që është i përfshirë në afera të mëdha si ajo e CEZ, vrasja e 21 janarit, Gërdeci, etj., mund të përballen me drejtësinë në muajt në vijim./Kliti TOPALLI