Me sa duket, “çështja Teatri” do të duhet të bëhet motak e më tej të vazhdojë lirshëm në krejt institucionet e edukimit parashkollor, në çerdhe e kopësht, diskutimin e vet “patriotik” mbi rëndësinë e tij dhe të ardhmen e urbanistikës shqiptare. E vërteton plotësisht këtë dyshim korespondenca që kanë patur disa ditë më parë deputeti z. Luan Rama me aktorin Robert Ndrenika, i cili nuk ka nisur mirë. Por, jam i sigurtë që aty ka një keqkuptim si i thonë “in oggetto”, në esencë.
Deputeti i nderuar ka shumë mundësi të ketë ngatërruar adresë, aktorin 76 vjeçar të madh Robert Ndrenikën, me ndonjë aktor tjetër me emrin po Robert jo më tepër se 20 apo 25 vjeç, me sa duket ndonjë çun të lagjes të vet. Në tërë atë “luftë” disa mujore në “Sheshin e kuq” ku parashikohej gjakderdhje, nuk është çudi që në podium të jetë ngjitur ndonjë aktor i ri Robert, mbiemrin e të cilit spikerët tanë e kanë patur më të thjeshtë t’ja mbysin me Ndrenika, si shpesh në emisionet informative. E këtu ka mundësi të ketë filluar ky keqkuptim i të nderuarit deputet. Sepse ja se si komunikon me “dikë” prej Robertave ekselenca e tij: “…prej “Artistit të Popullit”, siç pëlqej t’i drejtohem unë, alias “Nderit të Kombit” e mikut tim të vyer Robert Ndrenika”.
Pra qartë që i drejtohet Robertit të madh. Më pas e humbet, ngatërrohet: “E meqë Berti, e bashkë me të edhe ata pas tij e mbyllnin kërkesën e tyre me postulatin ‘Kjo është tokë e shenjtë’…”. Ky duhet të jetë Berti i vogël, ai lagjes, çuni i Kasos. Para finales përsëri i drejtohet “të madhit mik”: “E sot, më duhet ta pyes mikun tim ‘Artist të Popullit’, pra Robert Ndrenikën, e jo të tjerët pas tij…”.
Deri këtu edhe mund të përtypej, por më tej reciton një poezi të Kiplingut drejtuar birit të tij, e këtu na huton, na bën krejt çorbë. Ja: Në mundsh të ruash arsyen / kur bota humbet fillin…/ Në mundsh të flasësh me maskarenj / por nderin tënd të ruash… / dije dhe mos ki asnjë dyshim… / se e jotja do jetë bota me gjithë ç’ka brenda, dhe burrë do t’jesh o biri im”. Më tej, poshtë vargjeve ka një shtesë, që nuk e besoj se e ka shkruar Kipling e nuk duhet të ketë lidhje me Robert “birin tim”: “Të shembet apo të mos shembet? Kjo nuk është çështja!” Ja kjo ishte e gjitha çfarë ka shkruar deputeti “poet”.
E keqja është se Roberti i madh nuk ka duruar të shqyrtojë me qetësi këtë situatë, ku drama e çorbës të personazheve e ndërthurur në trutë e lodhura të deputetit duket shumë e qartë. Aty për aty i ka kthyer letër, ku me më pak se dy rreshta na bën me dhimbje të pamerituar koke. “More ti, Luan Rama (i LSI-së), i drejtohet deputetit, mendoja që je ‘informator’, por nuk ma priste fiqiri se më dole ‘dez informator’”. Kaq, fare shkurt, “informator”! Në të folmen popullore fjala “informator” është e barabartë me atë “spiun”. Spiun, deputeti ynë? Ky gjigand që kur flet nëpër podiume shkëlqen nga atdhedashuria, nga preokupacioni për popull e vatan? Ky politikan i rangut të lartë, dy partitë e të cilit sa herë i ka ndërruar e kanë trajtuar atë si “derrin maç” e kudo ku ka futur turinjtë e tij, ka shkëlqyer në çdo gjë, sidomos në lëpirjen e pastër dhe të plotë të by…parimeve dhe propagandimin e hajdu…ndershmërisë të më legen… të mëdhenjve të kombit? Është pothuajse e pamundur të jetë e vërtetë kjo. E kështu është! Pasi vetë autori i kësaj të “reje” e ka korrigjuar menjëherë e shumë shpejt nxitimin e tij. E ka tërhequr fjalën “informator” dhe e ka zëvendësuar atë me “informator”. Më tej deputeti ynë nuk duhet të preokupohet, pasi ne lexuesit e tij besnikë këtë e konsiderojmë si një “mea culpa” të aktorit të madh, d.m.th Robertit, i cili e bën atë shumë shpejt, aq sa duhet për të lexuar një fjali nga kryefjala deri te mbiemri i fundit. Pra deputeti ynë, për fat të popullit tonë nuk është “informator” por “dez informator”, si të thuash “dez spiun”, spiun i dezinfektuar. Ashtu sikur të ishte mushkonjë malarike e tani është e dezinfektuar. Pra nuk ekziston më si “informator” por si një “mushkonjë malarike e dezinfektuar” që nuk përbën rrezik sëmundjeje, domethënë një zero.
Ndofta këtu është e nevojshme të kuptojmë se nga ana e vet, edhe deputetit të nderuar i takon që ta bëjë edhe ky “mea culpan” ndaj “birit tim” Robertit të madh (75 vjeç), të cilin e ka ngatërruar me atë Bertin e vogël (20 vjeç) të lagjes. Robertit të madh besojmë se do ti bëhej shumë qejfi në këtë rast, sepse nuk ka të bëjë me ndonjë njeri dosido, ka të bëjë me një deputet “dez informator”, tmerrësisht të kulturuar, i cili di kaq saktë të recitojë herë Kiplingun, herë Eseninin apo edhe Dritëronë, paçka se ndonjëherë nga lodhja nuk fut çizmen në galloshe, por galloshen në sandale kur çizme nuk ka.
Me drejtues si puna e këtij deputeti, kjo politika jonë e mbyll me plot sukses sezonin e parë të Parlamentit gjigand shqiptar, le ta themi në mënyrën më “heroike”. A ka “heroizëm” më të madh se gjatë gjithë sezonit që sapo u mbyll të futesh në të e aty brenda tij të luash bixhoz me fatet e popullit, herë duke fërshëllyer, herë duke tymosur, herë duke hedhur trasta me miell apo çizme, e asnjëherë për të folur për ligje e për problemet e këtij vendi që ka filluar të lëngojë e pikojë hidhërim, nga mungesa e përfaqësuesve të vërtetë të tij?
Ka të drejtë ky “hero” deputet, ky megaloman i pariparueshëm të tentojë të “tallet” e të marrë “nëpër këmbë” aktorin gjigand, me të vërtetë nga më të mëdhenjtë e skenës tonë, aq të pavarur në mendimet e tij e aq dinjitoz në qëndrim, i cili në finale di të ndajë aq bukur interesin e vet personal nga interesi i artit shqiptar, që di të shkëputet kur është e nevojshme nga loja kaq e pacipë e kaq injorante e një pjese deputetësh, që asnjë lidhje nuk kanë me teatrin, veç aftësisë për të bërë rolin e mashtruesit në “teatrin” e podrumeve të errëta të politikës tonë në përgjithësi.
Ka të drejtë ky deputet i zgjedhur me “kokë a pilë” e të “trimërohet” kështu. “Kryetari i madh” i Partisë të tij milimetrike ka bërë thirrje në mbështetje të “luftës” që ka shpallur për muajin shtator “Bash kryeministrin hije”. Ja vlen biles që ky deputet heroik edhe të sakrifikohet deri në fund. Në faqet e Shvejkut, ka një kadet të quajtur Bigler, një idiot që në mbështetje të ëndrrës të tij për karrierë e për të dhënë “jetën për hir të Perandorit”, në vend të shkruante librat që kishte parashikuar, mjaftohej vetëm me hartimin e titujve, e nëpërmjet tyre imagjinonte të ardhmen e tij prej gjenerali.
Titujt ishin “Me bijtë e Austro-Hungarisë përpara”, “Aktet e lavdishme të ushtarëve të mi”, “Gjak e hekur”, “Heronjtë e batalionit tim” etj. Meqenëse nuk duronte e pinte ujë në çdo rrëke që shihte, e zuri dizanteria, pas të cilës i shtrirë pothuajse i vdekur në shtrat, kur u përmend dhe e kuptoi se ishte sëmurë buzëqeshi me vete. Konkludoi se “për hir të Perandorit sovran nuk ka asnjë lloj ndryshimi ndërmjet të rënit në sheshin e betejës me të rënit nga dizanteria”. Asnjë lloj gjurme të kadetit nuk mbeti më në Brigadë. Edhe pantallonat e tij të dhjera, përfundon autori, humbën në luftë./ Nga Bardhyl ERMINI