Por njëri prej tyre, që ka pasur babain një nga tiranët e vërtetë të këtij vendi, një vrasës dhe padyshim i indoktrinuar më keq se sa Enveri, bën personin e “shëruar” nga jeta e tij sigurisht fatkeqe më vonë nën diktaturën e mikut partiak të babait të tij!
Besi Bekteshi
Të vjen për të vjellë, kur dëgjon në ditët e sotme dhe nga goja e të djeshmëve të diktaturës, fjalët apo të shkruarat që ridimensionojnë dy pjesët e një medalje të ndyrë ideologjike që ka qenë jeta pikërisht nën diktaturë! Një nga të këqijat e mëdha të një shoqërie boshe, të shtypur ashpër, të presionuar rreptë dhe të keqtrajtuar nga një dorë përdhunuesish të lirisë, është fjala dhe shkrimet e atyre që realisht panë dy pjesë të një realiteti burgu të madh, por që këtë dallim simbolik e tregojnë sot si filozofi e qartë burgu të përbashkët! Është një vijimësi e dobët, e keqe dhe arrogante e idesë maskareshë dhe imorale të dikurshme, që ish sekretari i partisë thoshte: bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë!
Të lindur dhe të rritur pa merita intelektuale të vërteta, pa merita të mëdha trashëgimie të lartë familjare qytetare, të lartësuar politikisht dhe ideologjikisht fëmijët e bllokut shikonin qartësisht marrëzinë e etërve dhe pak prej tyre u rebeluan për të mos pasur privilegjet e qelbura dhe idiote të kohës!
Ndërkohë që mijëra dhe dhjetëra mijëra në popull pengoheshin të shkonin në universitet, të kishin një palë pantallona jeans, të kishin syze të huaja, të dëgjonin muzikë të huaj, të shikonin televizion të huaj, të kishin mundësi studimi jashtë, të hanin shumë herë më mirë se sa shoqëria, të mos kishin tollon, të zgjidhnin punët e tyre me emrin e babait ose nënës në Komitetin Qendror – djemtë e “privilegjeve të tiranisë” ishin tashmë një botë tjetër me popullin poshtë!
Por njëri prej tyre, që ka pasur babain një nga tiranët e vërtetë të këtij vendi, një vrasës dhe padyshim i indoktrinuar më keq se sa Enveri, bën personin e “shëruar” nga jeta e tij sigurisht fatkeqe më vonë nën diktaturën e mikut partiak të babait të tij!
Bën njeriun e burgosur të lejes që kishte të krijonte gënjeshtra në filmin “Skëterrë 43” me regji të mirë të Larjes, por skenar gënjeshtar, të gabuar krejtësisht, të një kampi përqendrimi italian ose fashist që përdorte metoda gjermane! Marrëzira, të cilat e kishin bazën në dyzimin botëkuptimor të djalit, i cili nuk justifikonte dot babain dhe nuk i hiqej larg hijes së tij!
Jo jo, sepse kishte hije ideologjike të cilën mbas shumë vitesh e konsideron “liri më të pakët se sa kur u dënua në momentin kur i ati vrau veten”! Të gjithë supremacinë “e klasës së mirë, të pastër, proletare, të luftës, të komunistit si familje, familjes elitë komuniste marksiste leniniste” e kthen në burg sot si dikur kthente në torturues dhe me kampe shfarosjeje dhe eksperimentesh italianët në Shqipëri! Italianët me kampe eksperimentesh mbi njerëzit në Shqipëri! Po po, e njëjta maskaradë ideore, fluturim idiot sa fantazmagorik letrar dhe mashtrim për të devijuar realitete! Nejse, duhej mbuluar ideologjikisht “privilegji i tiranisë” si skenarist!
Kurse të tjerët dënoheshin se kishin veshur pantallonat si të tij, ose të të tjerëve si ai në Bllok! Dënoheshin se dëgjonin muzikën që dëgjonte ky dhe miqtë e tij e fëmijët e tyre sot si të PS dhe PD! Të tjerët dënoheshin se ju plaste shpirti, se nuk ju dilte buka dhe djathi, nuk mbanin dot fëmijët me bukën e zezë të fortë gur dhe mallkonin babain e tij dhe Enverin!
Moshatarët e tij dënoheshin se tregonin ndonjë barsoletë për babain e tij delirant dhe për mikun e tij Enver Hoxha, që më vonë e detyroi të vriste veten! Ky e quan sot “privilegjet e tiranisë” më robëri se sa “lirinë e burgut” sepse ka në bazë skenarin e filmit që në diktaturë mundohej të jetësonte me talentin që i kishte falur (lejuar) babai!
Gjithsesi ka kuptuar se “liria e burgut” në diktaturë është një mrekulli! E ka kuptuar se fatkeqësia e klikës së babait të tij, kishte një të mirë të madhe se do ta riciklonte në burg! Dakord dhe për këtë duhet falenderuar në ndryshim nga maskarenjtë e tjerë që u morën me spiunim, me poshtërsi politike në demokraci dhe me trafik apo dhe hajdutëri masive si politikan! Po po, për këtë duhet falenderuar!
Veçse ka diçka: liria e burgut të tij dhe ne të tjerëve duhet vënë përballë privilegjeve të tiranisë! Jo diktaturës, por tiranisë! Asnjë atje lart nuk ishte filozofikisht i qartë që të ishin klikë ideologjike diktatoriale! Ishin rondokopë të pashkolluar, por që fëmijët ju (i) shkolluan më mirë sigurisht! Po po dhe jashtë shtetit! Ishte tirani, sepse liria dhe e drejta bashkë me të humbën!
Sidomos në 20 vitet e fundit të diktaturës nuk vuajti vetëm liria e ndaluar por dhe e drejta e privuar! E mungesa e privimi nga të dyja këto ju dha privilegje djemve të bllokut qoftë dhe të burgosur më vonë! Nuk ka më të pështira se sa privilegjet e tiranisë , sepse bëhen në mungesë të lirisë dhe të drejtës! Lirisë për pothuaj çdo gjë dhe të drejtës duke filluar nga ligji dhe pastaj ato të njeriut me rradhë!
Janë po këta djem dhe ky prodhim që po dhunojnë si lirinë dhe të drejtën në demokraci! Sigurisht është po i njëjti tarikat dhe familjaritet! Dje kishin privilegjet e tiranisë dhe sot kanë privilegjet e demokracisë, por që e zbatojnë si dikur tiraninë baballarët dhe gjyshërit e tyre! Ata, ideologjikisht dhe këta sot financiarisht dhe ekonomikisht!
Por padyshim skenaristi i skëterrës (që në fakt ishte më skëterrë ky vend, kur po prodhohej filmi) nuk ka faj! Ai dhe shumë si ai, por dhe unë e shumë e shumë të tjerë, këtë gjë kemi të përbashkët! “Lirinë e burgut” përballë “privilegjeve tiranisë”! Padyshim që kjo edhe na ndan dhe fatkeqësisht si kohë na bashkon. Por për mua ajo mbetet ashtu!
Për ne, liria e pamëshirshme e burgut si djemtë e nacionalistëve, patriotëve, ish komunistëve idealistë, përballë “privilegjeve të tiranisë” të atyre që i gëzuan dhe tani kanë mundësi të na çajnë dhe tr..pin me leksione demokracie apo dhe drejtimi të shtetit!
Kurse njeriun e dënuar ashpër nga diktatura, do kisha dashur ta shikoja me një skenar mbi këtë përballje të ashpër dhe të vërtetë në Shqipërinë e demokracisë së përdhunuar nga njerëzit e ricikluar të diktaturës dhe shërbëtorët e tyre nga klasa e përmbysur dikur! Kuriozitet i madh do të ishte nëse do ti ngjante filmit të vitit 1980!?