Institucioni kyç për sistemin e ardhshëm të drejtësisë dhe që do të duhet të plotësojë vakancat e rëndësishme të krijuara nga procesi i vetingut në Gjykatën e Lartë pritet të jetë funksional së shpejti pasi procesi i vetingut për 14 kandidatët nga rradhët e gjyqësorit përfundoi të mërkurën me rikonfirmimet në detyrë të gjyqtarëve Hallunaj dhe Kadi.
Gjergj Erebara
Gjyqtarët Dritan Hallunaj, Brunilda Kadi u konfirmuan në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të mërkurën duke i dhënë fund procesit të rivlerësimit të katërmbëdhjetë kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe duke i hapur rrugën krijimit të këtij institucioni dhe plotësimit të vakancave të mëdha të shkaktuara nga Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese nga procesi i vetingut dhe dorëheqjet e lidhura me të.
Me një axhendë të ngjeshur, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi shtatë seanca dëgjimore në dy ditët e fundit të korrikut si dhe dha vendimet përkatëse duke i hapur rrugën krijimit të KLGJ-së, institucion i cili pritet të ketë një rol kyç në sistemin e drejtësisë në të ardhmen.
Këshilli i Lartë Gjyqësor do të zëvendësojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë për pjesën e gjyqtarëve dhe do të përbëhet nga 11 anëtarë. Nga 11 anëtarët, gjashtë do të zgjidhen nga rradhët e gjyqësorit dhe pesë janë zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me juristë jogjyqtarë.
Për anëtarët gjyqtarë, garuan katërmbëdhjetë gjyqtarë të të gjitha niveleve, nga të cilët, nëntë janë konfirmuar, katër janë shkarkuar dhe një ka dhënë dorëheqjen. Gjithsesi, procesi përfundimtar do të duhet të presë edhe vendimet e mundshme të Kolegjjit të Posaçëm të Apelimit, ku vetëm një nga vendimet e rrëzimit, ai i ish-gjyqtarit të Durrësit Besim Trezhnjeva, është shqyrtuar dhe konfirmuar.
Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të zgjidhet nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të të gjitha niveleve, por mbetet e paqartë nëse rregullat e shumta të përcaktuara në nenin 7 të ligjit “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë” do të mund të plotësohen pas efektit filtrues të procesit të vetingut.
Ligji thotë se njëri nga anëtarët duhet të jetë gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Aktualisht për KLGJ kanë kandiduar dy anëtarë të Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli dhe Medi Bici. Zeneli u shkarkua nga vetingu më 18 korrik ndërsa gjyqtari 61 vjeçar Medi Bici u konfirmua. Si kandidati i vetëm i mbetur, ai pritet të jetë anëtari i ardhshëm i Këshillit të Lartë Gjyqësor nga rradhët e Gjykatës së Lartë, me një mandat pesëvjeçar me kohë të plotë, gjë që pritet të krijojë edhe një vakancë shtesë në Gjykatën e Lartë, e cila ka mbetur sakaq me 4 anëtarë.
Ligji thotë gjithashtu se dy anëtarë duhet të jenë gjyqtarë apeli, ku së paku njëri duhet të jetë nga jashtë Tiranës. Problemi është se aktualisht nga tre kandidatë të gjykatave të apelit, kanë mbijetuar vetëm dy, Ilir Toska nga apeli i Tiranës dhe Nertina Kosova nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda. Kandidati i vetëm apeli nga jashtë Tiranës, Besim Trezhnjeva u rrëzua. Nuk është e qartë nëse mungesa e një kandidati të përshtatshëm nga gjykatat e apelit jashtë Tiranës do të sjellë apo jo nevojën për rihapje të thirrjes për kandidatura. Ligji thotë se “Në qoftë se nuk ka kandidatë për një ose më shumë nga nivelet e gjyqësorit që duhet të përfaqësohen në Këshillin e Lartë Gjyqësor, sipas përcaktimeve të nenit 147, të Kushtetutës dhe të këtij ligji, Kryetari i Gjykatës së Lartë bën një thirrje të dytë jo më vonë se 3 ditë nga dita kur shpallen kandidaturat në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë”.
Ligji thotë gjithashtu se tre anëtarë duhet të jenë gjyqtarë të shkallës së parë, nga të cilët, së paku një duhet të jetë nga jashtë Tiranës. Nga gjashtë gjyqtarët e gjykatave të faktit që u konfirmuan në veting, pesë janë nga Gjykata e Tiranës apo gjykata e krimeve të rënda ndërsa vetëm një, Marçela Shehu, është nga Gjykata e Kurbinit.
Pesë gjyqtarët e Tiranës, Manjola Xhaxho, Dritan Hallunaj, Brunilda Kadi, Astrit Faqolli dhe Alma Brati pritet të konkurrojnë për një vend në KLGJ.
Zgjedhja e tyre do të bëhet nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve. Kryetari i Gjykatës së Lartë do të duhet të bëjë shpalljen e kandidaturave pas verifikimit të plotësimit të kritereve nga kandidatët si dhe të organizojë mbledhjen dhe procesin e votimit. Të gjithë gjyqtarët do të duhet të votojnë për kandidatët në mënyrë të fshehtë dhe individuale.
Pas konstituimit, KLGJ do të duhet të plotësojë vakancat në Gjykatën e Lartë, e cila nga ana e saj, do të duhet të plotësojë tre nga vakancat e Gjykatës Kushtetuese./birn/