Kryebashkiaku Erion Veliaj vazhdon të mbështesë nismën e presidentit të Republikës Ilir Meta për dhurimin e gjakut. Dhe pse presidenti nuk dha dakortësinë për ndërtimin e Teatrit, Veliaj po vazhdon të mbështesë kauzën e tij.
Ndërsa ishte për vizitë në ambientet e Agjensisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Veliaj theksoi se do ti përmbahet angazhimit për të dhënë kontributin e tij në dhënien e gjakut.
“Lidership do të thotë të bësh atë që është e drejtë, pavarësisht rrethanave. Të ndërtosh teatrin, besoj është e drejtë, të dhurosh gjak po ashtu, dhe përkushtimet janë përkushtime dhe angazhimet janë angazhime.
Ne e kemi marrë këtë angazhim dhe pavarësisht rrethanave apo mënyrës se si shkon loja e politikës së ditës, pavarësisht kush bllokon apo zhbllokon diçka, pavarësisht se kush hap një sherr apo bëhet pengesë, jeta vazhdon dhe unë besoj se për gjërat që besojmë, që janë detyrime të shenjta dhe angazhime të marra, do ta mbajmë gjithnjë fjalën”, tha Veliaj.